TIRANE– Kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku, e zgjedhur dje nga Kuvendi me 69 vota pro, ka marrë sot zyrtarisht detyrën. Mëngjesin e sotëm, rreth orës 09:30, i pari që ka mbërritur në godinën e Prokurorisë së Përgjithshme ka qenë Adriatik Llalla, të cilit i ka përfunduar mandati i kryeprokurorit. Disa minuta më pas, në këto ambiente ka mbërritur edhe e zgjedhura e përkohshme në këtë detyrë.
Pas një bisede të shkurtër në zyrë, Llalla i ka dorëzuar detyrën Prokurores së re të Përgjithshme, Arta Marku, e cila u zgjodh vetëm me votat e mazhorancës, votim i ushtruar në një situatë të tensionuar në Kuvend.
Kryeprokurorja e re ka përcjellë paraardhësin e saj në këtë detyrë deri në oborrin e godinës, e më pas është rikthyer në zyrën e saj për të vijuar me detyrat që i janë caktuar.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se ish-kryeprokurori Llalla është shfaqur i buzëqeshur teksa linte ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme, institucion që e drejtoi për 5 vite.
(el.sp/BalkanWeb)