Viti që po vjen është konsideruar si i një rëndësie të madhe për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian drejt Ballkanit Perëndimor dhe pritshmëritë janë shumë më të mëdha edhe se vetëm një vit më parë, shkruan media më e rëndësishme online për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor, në faqen e saj të internetit https://europeanwesternbalkans.com.

European Western Balkans rendit edhe ngjarjet kyçe dhe proceset që do të ndodhin gjatë vitit 2018.

1 – Strategjia e zgjerimit e Komisionit Evropian

Strategjia e Komisionit Evropian për integrimin e suksesshëm të Ballkanit Perëndimor, që pritet të paraqitet më 6 shkurt 2018, do të përfshijë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Pavarësisht njoftimit të mëparshëm të presidentit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, se strategjia e re do të lidhej me pranimin e ardhshëm të Serbisë dhe Malit të Zi, si kryesuese në proces deri në vitin 2025, drafti i strategjisë përfshin gjithashtu vendet e tjera, Shqipërinë, Bosnjen, Kosovën dhe Maqedoninë.

Gjithashtu, strategjia e re do të përqëndrohet në shtetin e së drejtës, të drejtat themelore të njeriut, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, stabilitetin e përgjithshëm në rajon, që janë çështje me interes të madh për BE-në.

Gjithashtu, drafti i dokumentit parashikon përfundimin e një marrëveshjeje ligjore e detyrueshme midis Beogradit dhe Prishtinës deri në fund të vitit 2019.

2 – Samiti BE-Ballkani Perëndimor dhe presidenca bullgare e Unionit

Në Bashkimin Evropian dhe rajon ekziston një atmosferë se presidenca e ardhshme bullgare e Këshillit të BE-së do të jetë një rast i mirë për gjashtë vendet e Ballkanit Perendimor që të ecin përpara me proceset e tyre individuale të pranimit dhe të bëjnë progress të rëndësishëm.

Bullgaria tashmë e ka shprehur ambicien e saj për ta çuar përpara integrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe e ka paraqitur atë si një nga prioritet e presidencës së ardhshme, shkruan ata.

Ajo gjithashtu synon të nxisë për më shumë fonde, më shumë infrastrukturë, energji dhe projekte të tjera.

3 – Presidenca austriake e Bashkimit Evropian

Austria do të marrë presidencën e Këshillit të BE-së më 1 korrik 2018 dhe si rezultat i interesit të saj të madh tradicional për Ballkanin Perëndimor dhe të mbështetjes për integrimin e këtij rajoni në BE, mendohet gjerësisht se presidenca e këtij vendit do të ketë një ndikim pozitiv në perspektivën e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëri, Maqedoni, Serbi, Mali i Zi, Bosnje-Hercegonivë dhe Kosovë për në BE.

Megjithatë, së fundmi në Austri ka ardhur në pushtet një qeveri ku partner në koalicionin qeverisës të Partisë së Popullit është edhe partia e djathtë, Partia e Lirisë, e cila ka mbrojtur me forcë politikat e brendshme, ndërkohë që anëtarët e saj janë kritikuar për pikëpamje të ekstremit të djathtë dhe shpeshherë për deklarata raciste.

4 – Samiti i Londrës i Procesit të Berlinit

Samiti i ardhshëm i Ballkanit Perendimor do të zhvillohet në Londër më 10 korrik 2018.

Zyrtarët britanikë e perceptojnë këtë një shprehje e vullnetit të Britanisë së Madhe për të mbajtur angazhimin e saj ndaj Ballkanit Perendimor edhe pas Brexi-it.

5 – Rezoluta për çështjen e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë

Konflikti mes Greqisë dhe Maqedonisë për çështjen e emrit të kësaj të fundit, që ka penguar përreth një dekadë përpjekjet drejt BE-së të ish-republikës Jugosllave, mund të marrë fund në vitin 2018.

Matthew Nimetz, i dërguari special i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për bisedimet mes Greqisë dhe Maqedonisë, deklaroi gjithashtu se çështja e emrit mund të zgjidhet vitin e ardhshëm duke theksuar se klima për zgjidhjen e mosmarrëveshjes është përmirësuar si në Maqedoni edhe Greqi.

Megjithatë, nuk ka ende një emër të ri mbi të cilin të reflektohet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: