Analisti Artur Zheji është skeptik i madh në lidhje me ndryshimet që pritet apo mund të ndodhin gjatë vitit 2018. Ai shprehet i zhgënjyer përmes një shkrimi në të cilën analizon disa sfera të jetës.
Mes tyre përmend edhe çështjet politike si dhe vettingun, për të cilin shprehet gati-gati se është një farsë, një gënjeshtër e madhe, ku si mbi det, edhe nën det, siç thotë ai, peshku i madh e ha të voglin.

Shkrimi i plotë i Artur Zhejit:
Asgjë e rëndësishme nuk do të ndryshojë në 2018. Marrëzia e gjelave të therur dhe bakllavave, është tashmë shija orientale e thellë e shqiptarëve të varfër, fshatrave dhe qyteteve katunde shqiptare.

Ca pak të pasur, ca si shumë të pasur, kanë marrë avionët me kohë dhe janë larguar nga çifligu Shqipëri, ku vjelin ditë pas dite dhe vit pas viti, paratë e nevojshme për të qenë zotërinj, në Botën e Madhe, ku në të vërtetë janë askushi.

Ndërsa ata të paktët shqiptarë, që janë dikushi edhe nëpër botë, sjellin kokën në Dheun e të Parëve, nga edhe nisën aventurën e largimit dhe fillesën e një jete të re, jashtë fshatit shqiptar.

Ekonomia?

Sigurisht rroftë nisma private e individit, që rregullon oborrin e vet dhe diçka më shumë në gardhin e jashtëm, ku pasi vjedh pak tokë e trotuar, rregullon ndonjë pllakë dhe mbjell ndonjë pemë, mbasi pylli është prerë.

Shëndeti?

Sigurisht në dorë të Zotit, sepse çfarë është në dorë të njeriut, bëhet mbrapsht e në mënyrë grabitqare, epidemitë e sëmundjeve të pashërueshme e vërtetojnë përditë këtë…

Politika?

Eh, mirë tanimë e kemi Beun e madh! E kemi pra Ustain, që ka blerë herë shtrenjtë dhe herë lirë, herë me dredhi dhe herë me forcë, ka nënshtruar apo ka vendosur në skaj, shumicën e kundërshtarëve, që kanë sëpari ambicie paranë, me të cilën kanë këmbyer të ardhmen e tyre politike.

Vettingu?

Një stuhi në gotë deri tani dhe deri nesër… kur Horati pyet Hamletin, shkruan Shakespeare 500 vite më parë, se: “A thua si do të jetë Imzot bota e poshtë detit?”, Hamleti përgjigjet: “Nuk e di… por me siguri edhe nëndet, ashtu si edhe mbi tokë, peshku i madh e ha të voglin!”

Pra Peshqit e Mëdhenj që flet Lu-ja ynë kombëtar, së fundmi edhe këngëtar, do të hanë peshqit më të vegjël dhe do të bërtasin me sa zë kanë në kokë: “Drejtësia u vendos! Peshqit e mëdhenj të krimit dhe të abuzimit u kapën! Ejani të gëzojmë dhe të lodrojmë! Sot fillojmë një jetë të re, në një Shqipëri të re!”

Ej… miq! Kush ja hodhi ja hodhi! Kush grabiti, grabiti!

Kush i q**u rrobt, u bë baba i pjellës që vjen pas!

Të tjerat janë përralla elektorale!

Gëzuar 2018 dhe ju rekomandoj të shihni veç ëndrra personale dhe aspak shpresa “të ndritshme kombëtare”, se rrezikoni të gdhiheni me dhimbje të forta koke.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: