ANGLI – Shqiptari i cili vrau gruan e tij pasi nuk e besonte se ishte e virgjër është dënuar me 10 vite burg. 32-vjeçari Arben Rexha vrau në mënyrë makabre 25-vjeçaren Elidona Demiraj, dhe për këtë arsye Gjykata e Londrës mori një vendim të tillë.
Demiraj kishte shkuar në Britani nga Shqipëria vetëm 3 muaj para se të pësonte fundin tragjik si pasojë e xhelozisë së bashkëshortit të saj.
Në gjykatë u dëgjua sot se Arben Rexha kishte simptoma të sëmundjeve mendore ditët që kreu aktin e tmerrshëm por nuk kishte kërkuar ndihmë.
Elidona u gjet nga policia angleze me 27 plagë në kokë, gjoks e pjesë të ndryshme të trupit. Daily Star shkruan se kjo nuk ishte hera e parë që Rexha ishte treguar i dhunshëm ndaj femrave, madje një herë kishte goditur një ish-të dashurën e tij duke e akuzuar se kishte fjetur me pasagjerë në autobus.

Prokurori Richard Christie thotë se “marrëdhënia e tyre arriti deri në atë pikë sa ai ishte i bindur që bashkëshortja e kishte tradhtuar. Ishte një vrasje makabre. E izoloi bashkëshorten dhe nuk e la atë të dilte për 3 muaj derisa e vrau.
Rexha deklaroi sot në Gjykatë se Elidona nuk po i jepte atij respektin e mjaftueshëm dhe filloi të mendonte se ajo po tentonte ta helmonte.

Gjatë seancës gjyqësore ditën e sotme u lexua një letër e prindërve të Elidonës. “E dërguam atë si një nuse dhe ajo u kthye te ne e vdekur. Ne jemi të tronditur nga vdekja e vajzës sonë. Mos kini asnjë dyshim se dhimbja jonë është e njëjtë me ditën kur morëm lajmin për vdekjen e saj. Ai e izoloi atë për tre muaj dhe nuk e lejoi të takonte asnjë njeri. Ajo ishte një vajzë model, me sjellje shembullore. Ajo u respektuar nga të gjithë “.
(e.f/BalkanWeb)
