Një rast që ka tronditur opinionin publik në Britaninë e Madhe ka përfunduar me dënimin e dy burrave për vdekjen e foshnjës 13-muajshe Preston Davy, vetëm pak muaj pasi fëmija ishte adoptuar prej tyre. Pas një gjyqi tetëjavor në Gjykatën e Kurorës në Preston, juria shpalli fajtor 37-vjeçarin Jamie Varley për vrasjen e foshnjës, ndërsa partneri i tij, 32-vjeçari John McGowan-Fazakerley, u dënua për shkaktimin ose lejimin e vdekjes së fëmijës.

Gjatë procesit gjyqësor dolën në dritë detaje shqetësuese mbi trajtimin që kishte pësuar foshnja gjatë katër muajve që jetoi me çiftin pas adoptimit në prill të vitit 2023. Varley u shpall gjithashtu fajtor për një sërë veprash të tjera penale, përfshirë abuzim seksual ndaj një fëmije, keqtrajtim të fëmijëve dhe prodhim e shpërndarje të materialeve të pahijshme që përfshinin të mitur. Ndërkohë, McGowan-Fazakerley u dënua për disa akuza që lidhen me abuzimin ndaj fëmijës dhe mosparandalimin e vdekjes së tij.

Sipas dëshmive të paraqitura në gjykatë, Preston, i përshkruar nga të afërmit dhe dëshmitarët si një foshnjë e lumtur dhe e dashur, ishte shtruar tre herë në spital brenda katër muajve nga adoptimi. Fëmija humbi jetën më 27 korrik 2023 në Spitalin Blackpool Victoria, pasi pësoi arrest kardiak. Fillimisht, Varley pretendoi se e kishte lënë foshnjën vetëm për pak minuta në vaskë dhe se e kishte gjetur më pas të zhytur në ujë.

Megjithatë, hetimet mjeko-ligjore rrëzuan këtë version. Autopsia përjashtoi mbytjen si shkak të vdekjes dhe zbuloi lëndime të shumta të brendshme dhe të jashtme, të cilat ekspertët i konsideruan jo aksidentale. Mjekët përcaktuan se shkaku i vdekjes ishte bllokimi akut i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, i cili mund të ishte shkaktuar nga asfiksia ose nga futja e një objekti në gojën e fëmijës.

Prokuroria argumentoi se foshnja kishte qenë viktimë e një fushate sistematike abuzimi fizik dhe seksual gjatë muajve që kaloi me çiftin. Sipas hetuesve, ndaj tij ishin kryer akte të rënda dhune dhe ishin regjistruar materiale audiovizuale të paligjshme. Rasti ka shkaktuar reagime të forta në Britani dhe ka ngritur pyetje mbi procedurat e monitorimit pas adoptimit të fëmijëve, ndërsa autoritetet kanë premtuar shqyrtim të plotë të rrethanave që çuan në këtë tragjedi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: