TIRANE- Është mbledhur sot në Tiranë ministriali rajonal në luftën kundër terrorizmit. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri iu ka kërkuar përfaqësuesve të vendeve të rajonit të bashkëpunojnë dhe të hetojnë bashkërisht për të luftuar terrorizmin, që Ballkani të mos jetë më vendi nga ku eksportohen terroristë. Pas mbylljes së ditës së parë të ministerialit, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka dalë në konferencë të përbashkët për shtyp me Nënsekretaren për Sigurinë Civile, Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut në DASH, Sarah Sewal. Tahiri tha se komunitetet fetare kanë një rol kyç për eduktimin dhe theksoi se asnjë vend nuk është i parrezikuar nga terrorizmi.

“Komunitetet fetare kanë një rol kyç për edukimin. Asnjë vend nuk është i parrezikuar. Sot ishte dita e parë e samitit. Samiti vazhdon edhe nesër duke përfshirë të gjitha qasjet e një fenomeni që nuk mund në sistemin tonë të trajtohet vetëm me instrumente represivë, por duhet një qasje 360 gradë, ku shoqëria të përfshihet më shumë, ku zëri i komuniteteve fetare, i individit, i mediave të bashkohet me shtetin. Kjo është sfida jonë, që meriton vëmendjen maksimale, sepse askush nuk është imun nga rreziku i terrorizmit. Pavarësisht faktit që duket sikur Shqipëria nuk ka probleme në lidhje me ekstremizmin e dhunshëm, premisat që të kthehet në një problem edhe në shtëpinë tonë, ekzistojnë dhe janë aty. Duhet të ndalojmë që familjet, shoqëria jonë të rrezikohet nga terrorizmi”, tha Tahiri.

Më herët në nisje të ditës së parë të ministerialit Ministri i Brendshëm kërkoi parandalimin e tendencave ekstremiste.

“Të parandalojmë tendencat ekstremiste. Shqipëria është një vend që ka simbol integrimi dhe bashkëjetese mes komuniteteve, harmoninë fetare duke mënjanuar që praktikimi i feve të kthehet në element për të ngjallur ekstremizmin e dhunshëm”,-tha ai.

Tahiri tha se në luftën kundër terrorizmit shtetet duhet të dalin nga axhendat e ngushta kombëtare dhe nga politikat e ngushta.

“Ka detyra që shkojnë përtej kufijve të shtetit, kriminelët, ekstremistët e dhunshëm nuk njohin limite, nuk njohin qeveri. Të bashkëpunojmë për rezultate të qëndrueshme. Të ngemë ekipe të përbashkëta për hetimin e rasteve të tilla. Lufta ndaj terrorizmit duhet të jetë mbi çdo axhendë kombëtare e politikë të ngushtë, i shërben interesit të të gjithve”,-tha ai.

Më tej ministri i Brendshëm e vuri theksin tek bashkëpunimi, reformimi i institucioneve, tek standardet e funksionimit të drejtësisë dhe tek lufta ndaj korrupsionit.

“Falenderojmë SHBA për ndihmën thelbësore që i ka dhënë Shqipërisë në përgatitjen për tu përballur me këto sfida”,-tha ai.

SEWAL: LUFTË EKSTREMIZMIT TË DHUNSHËM, TË PARANDALOJMË QË FËMIJËT TANË TË BËHEN TERRORRISTË

Nën Sekretarja për Sigurinë Civile, Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Sarah Sewal, kërkoi më shumë bashkëpunim në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. “Ekstremizmi i dhunshëm është një çështje globale. Të bashkojmë forcat për një dialog fetar. Nevojiten strategji për të arritur qëllimin. Terroristët nuk i njohin kufijtë. Të bashkëpunojmë të gjithë sëbashku për të ndaluar rekrutimet. Të parandalojmë që fëmijët tanë të bëhen terroristë. Duhet të riafirmojmë vlerat tona kyçe”- u shpreh Sewal.

Nënsekretarja për Sigurinë në DASH, Sarah Sewal, tha së është e rëndësishme që e gjithë shoqëria shqiptare t’i adresojë problemet, në mënyrë që të gjendjet zgjidhje për to. Sewal bëri thirrje edhe për më shumë bashkëpunim politik.

“Kemi zhvilluar samite me liderët kryesore botërore p[ër të ndarë problemet së bashku dhe të gjejmë alternativa ndërkombëtare për zgjidhjen e tyre. Rikthimi i opozitës në parlament është i rëndësishëm që të adresohen të gjitha problemet dhe për të gjetur zgjidhje për to”, tha Sewal.

(m.k/ma.ar/a.n/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: