KURBIN– Disa orë pas ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Laçit, ku një person qëlloi me armë zjarri në ajër pas një konflikti me një shtetas tjetër, policia ka zbardhur ngjarjen.

Si rezultat i reagimit në kohë dhe veprimeve profesionale të kryera, Policia e Kurbinit brenda pak orëve pasi ndodhi ngjarja bëri identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit Xhevahir Agolli (Lika), 23 vjeç, banues në Gjorme-Kurbin.

“Kapja dhe arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi më datën 17.02.2018, rreth orë 17.30, në qytetin e Laçit, është konfliktuar me shtetasin E.B., 39 vjeç, banues në Kurbin, duke e goditur me sende të forta dhe më pas dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në ajër dhe është larguar menjëherë nga vendngjarja. Në vijim të veprimeve, është bërë shpallja në kërkim e shtetasit E.B, i cili pas konfliktit është larguar dhe fshehur duke ju shmangur kallëzimit të krimit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës parë Kurbin për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”, të parashikuar nga nenet 84 dhe 278/1 të Kodit Penal, në ngarkim të këtyre shtetasve.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: