*Nuk e kërkova kandidimin më zgjodhën 95% e strukturave  

*Betonizimi i Tiranës jo i këtyre 4 viteve por i 11 viteve më parë

*Si kryebashkiak do ta vendos veten në vendin e qytetarit, Tirana halle të shumta

TIRANE- Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova është i ftuar sot në programin ‘Studio e Hapur’ të gazetares Eni Vasili në News24, ku do të shpalosë pikat konkrete të programit të tij për Tiranën një ditë pas çeljes të fushatës elektorale nga të djathtët në pallatin e kongreseve.

Gjatë intervistës, Kosova deklaroi se nga takimet me banorët ajo që e ka impresionuar është fakti se sa punë ka për të bërë në Bashkinë e Tiranës. I pyetur nga gazetarja Vasili nëse e ka kërkuar vetë kandidimin për kryeqytetin, Halim Kosova i mohoi zërat dhe tha se është zgjedhur dhe më pas ka rezultuar më i votuari nga ana e strukturave të PD-së.

INTERVISTA

Jeni një nga mjekët më të njohur. Keni mbaruar fazën e parë të fushatës, keni bërë shumë takime me banorët, cili është impresioni i parë?
Sa shumë punë kam përpara për të bërë. Sa shumë përgjegjësi kam për të mbajtur mbi supe, për të bërë më të mirën për banorët e Tiranës, në qytet në periferi.

Për çfarë ju pyesin më shumë banorët, për çfarë këmbëngulin?
Ankohen për papunësi, për varfëri, për taksat e rritura, për çmimin e energjisë. Për një jetë që sa vjen e rëndohet. Ajo që më shkon në mendje gjatë këtyre takimeve, çfarë dëmi mund ti shkaktojë një qeveri kur shkëputet nga hallet e qytetarëve. Duhet ta kesh idenë se si është Tirana, hallet. Kam takuar banorë pafund

A ja keni kërkuar këtë kandidim kreut të PD-së?
Jo, asnjëherë se kam kërkuar, por kur emri përflitej dhe ishte në listë, ishte një vlerësim shumë i madh për mua… Rreth 95% të strukturave kanë qenë pro emrit tim. Akoma më shumë më rritet përgjegjshmëria.

Ju e keni kërkuar vetë këtë gjë më parë?
Fakti që unë nisa rrugën për më shumë se unë ç’kam patur për 35 vjet më radhë ishte përgjegjshmëria ime, që kushdo që ka mundësinë të bëjë diçka për Tiranën, të bëjë më shumë. Nuk kam pse të mos kthehem pak më mbrapa, në fillimet e mia duke pasur një pozicion të rëndësishëm në sektorin ku kam punuar, u ndodha para një dileme, të shtrij dorën tek pacienti apo të ndërtoja diçka, të shfrytëzoja kohën time të lirë. Fati që më kanë ndihmuar të huajt, që të shfrytëzoja kohën time të lirë. Kur gruaja më nxjerr fotot e vajzës nuk më kujtohet kur ka qenë e vogël. Vetëm punë, punë, punë. Situata në maternitet ishte jashtëzakonisht e keqe dhe thashë që këtë eksperiencë që ti ke, përse nuk e merr për sipër që ta shijojnë më shumë pacientë, nëna, motra, gra. Ishte zoti Solis ministër, që më thoshte se dhe unë kam qejf të më duket puna. Dhe në një moment të caktuar thashë se kur gjërat nuk shkojnë dhe nëse ke mundësi të bësh diçka merre në dorë bëje dhe pranova. Në tetor 1998 kam marrë drejtimin e maternitetit, në shtator 2000 ndërtuam qendrën e gruas në Maternitetin Mbretëresha Geraldinë. Pasi ndërtova të parën e ndërtova dhe tek Materniteti i Ri, të dytën, se isha edhe aty drejtor.

Keni modelin e suksesshëm me Maternitetin. Por të drejtosh një qytet nuk është e njëjta gjë. Mendoni se ky model do t’ju ndihmojë në këtë menaxhim të kryeqytetit?
Kam qenë edhe ministër i Shëndetësisë, ku jam kujdesur për shëndetin e të gjithë shqiptarëve. Pas zgjedhjeve kam vazhduar punën edhe kur partia ime humbi zgjedhjet. Kam qenë nëpër spitale edhe në ditën time të fundit të detyrës, pa patur kamera me vete. Nuk e kam bërë për kamerë, por për t’i shërbyer qytetarëve.

Ju vjen keq që jeni larg profesionit tuaj këto kohë?
Unë kam marrë këtë rrugë, mbas një konkluzioni të rëndësishëm profesional. Kam arritur në përfundimin se sado të bëjë më të mirën për pacientët e tij një mjek, ka shumë rëndësi menaxhimi i sistemit shëndetësor. Dhe unë për këtë mora rrugën në politikëbërje. Mendoj se kjo është ndërhyrja që do japë më shumë efekte për pacientët dhe qytetarët. Akoma dhe sot gratë shtatzëna nuk paguajnë asgjë për shtatzëninë. Në rastin e një fëmije prematurë, të lindur 7-muajsh, duke qenë pranë një familje në kushte shumë të vështira ekonomike, ky fëmijë për mua mbetet pacient i hershëm. Po të kemi sistemin e duhur shëndetësor atëherë i jepet një gruaje shtatzënë shërbimin e duhur për të pasur fëmijë të shëndetshëm.

Kundërshtarët tuaj politikë kanë një ide tjetër për modelin tuaj për menaxhimin e Tiranës. Po sa i takon akuzave ndaj jush?
Pse nuk i thanë para se unë të kandidoja. Janë llafe fushate. Nuk më intereson asgjë se çfarë thonë për mua. Unë mbaj parasysh vlerësimet që kanë bërë për mua para se të kandidoja, dhe nëse kanë diçka konkrete le t’i drejtohen institucioneve përkatëse. Në çdo tender që unë kam bërë, kanë tepruar 30 %, dhe i kam lënë mbi tavolinë për të treguar se sa tepron. E për të treguar se sa vidhet. Kur kam qenë ministër Shëndetësia kam patur të bëj me përfaqësues kompanish. Edhe në kushtet kur partia ime kishte humbur zgjedhjet, ato abuzime që kam konstatuar i kam çuar në KLSH. Ndërgjegjja qytetare që unë kam, dhe reagimi që kam karshi abuzimit, nuk më bën të fle i qetë nga ajo që kam konstatuar.

Rama thotë që ju jeni një personazh i lodhur …
Kjo është për fushatë. Para fushatës kam patur propozime të reja.

Do ishte surprizë nëse kryeministri do ju kishte propozuar Tiranën…
E lëmë me kaq.

Po ato që thotë kundërshtari juaj në garë…
Unë jam në garë me qytetarët se çfarë do bëj për ta. Nuk jam në garë me askënd tjetër. Dhe 7 orë kam ndenjur pa lëvizur nga vendi në sallën e operacionit për të shpëtuar jetën e një gruaje. Ky është motivi që mua më bën të le çdo gjë personale, dhe të marr përsipër t’ua shpërblej qytetarëve mirënjohjen.

Satirizon Veliaj me faktin që ju përmendni lindjet?
Nuk e kam dëgjuar. Madje edhe ata politikanë, që s’do i quaja të tillë.

Nisi me një sms përgëzimi, ndërsa tani kanë filluar akuzat…Ju ka uruar për kandidimin?
Mu vërsulën gazetarët, bravo për përgjigjen. U thashë çfarë përgjigje, ti më thanë i ke kthyer përgjigje. Dy ditët e para më kanë ardhur 2000 mesazhe. Stafi më propozoi që ti hidhte në kompjuter dhe ti kthenin përgjigje. Por unë u thashë kurrë, dhe deri në 3 të natës u kam kthyer përgjigje. Nuk e kam të evidentuar. Nëse më ka çuar sms Erioni, i them faleminderit Eriono, në kokën tate. Nuk e kam evidentuar. Nuk e kam të qartë se çfarë i kam shkruar.

Ju ka marrë në telefon?
Jo nuk më ka marrë, po të më merrte do ta mirëprisja.

Ka nisur me akuza fushata..
Jo, jo nuk ka akuza. Madje më thanë bravo për fushatën qytetare.

Jo fushata juaj por e kundërshtarit…
Ç’më duhet mua. Unë kam në dorë Halimin. Unë vërtetë jam zgjedhur nga PD-ja, por unë jam Halim Kosova, përfaqësoj veten time…Hallet e Tiranës janë aq të shumta, sa të mos zërë gjumi as natën.

Dje Veliaj ju ka shtruar disa pyetje politike, çfarë mendoni për Gërdecin, 21 janarin, qeverisjen e Berishës etj?
Nuk më hyjnë në vesh këto gjëra, por ato që të bëj diçka në të mirën e qytetarëve. Që të më hyjë diçka në tru duhet të kalojë, nga zemra. Kur ta ndiej në zemra, atëherë shkon në tru dhe mendoj për zgjidhje. Shqiptarët janë bërë mjeshtër të letrave. Por unë dua letrën ta bëj realitet, me transparencë, me punë.

Për projektet e Veliajt, propozimet, mënyrën se si po bën premtime, ju i keni ndjekur?
Këtu ndryshon puna, por nuk është se kam mundësi ti ndjek vetë, por kam stafin, ekspertë, profesionistë. Po vij nga një takim me një familje tiranase. Deri dje kur i thosha se ndiqeni, çfarë thotë, më thoshin çfarë thotë ti sot, ai i thotë nesër. I kam ndjekur edhe kandidatët e tjerë, Tafaj, Bojaxhiu, që çfarë kanë të mirë tua marr pse jo.

Për ju ka probleme se kush e pret shiritin, ngjyra e shiritit?
Ka pasur edhe raste gjatë drejtimit në institucione, kur më kanë thënë se ne do ta mbështesim këtë gjë, nëse e bën ky njeri dhe jo ti. U kam thënë hajeni bëjeni që nesër.

Kryeministri thotë se një kryetar bashkie më ka marrë në telefon….
Mos u bazo tek gjërat që thuhen në fushatë, me këto që po më thoni ju. Mos u bazo për të vlerësuar punën e gjithkujt tek fushata. Janë 35 vite punë dhe jo një muaj fushatë. Kam shumë probleme për të zgjidhur për qytetarët. Keni një zgjidhje po ma jepni, të tjerat nuk më hyjnë në punë.
***
Një qytetar më tha, më fal se kam shkruar diçka për ty në rrjetet sociale, por desh më theu fshesën në kurriz mamaja, si s’të vjen turp…unë as e dija. Më tha që na kanë trajnuar për të sulmuar ty në rrjetet sociale. Kam të dhëna që maxhoranca nxiste kandidatë të pavarur.

Pyetje nga qytetarët për ndotjen dhe gjelbërimin e Tiranës
Titulli i takimit sot ka qenë “Tirana e pastër dhe e gjelbër”, janë të gjitha këto shqetësime që qytetari i çonte në mesazh, që unë i kam parë gjatë takimeve. Jo pa qëllim unë e kam filluar me këtë pikë të rëndësishme të qytetit tonë. Si padashje në fillim të fushatës unë kam thënë se kisha përgjegjësi për një shtatzëni të shëndetshme përse të mos punoj për një Tiranë të shëndetshme. Edhe në takimin me të rinjtë kam thënë nëse një fëmijë qan dhe të gjithë gëzohemi për atë qarje, është e pafalshme që ai fëmijë, ai individ të qajë gjatë gjithë jetës. Gjej rastin të përmend se para dy ditësh isha tek një aktivitet për fëmijët jetimë, një kontingjent me shumë probleme. Një nga pikat e programit tim do të jenë edhe shtresat në nevojë, që kanë hall mbijetese.

Çfarë do të bëni ju si kryebashkiak?
Ajo që vë re është se shumë gjëra që duken të pamundura janë shumë të mundura, mjafton që ti të jesh pranë hallit dhe ta vësh veten në pozicionin e atij që ka hallin. Gjithmonë kam menduar edhe kur më vinte një vajzë e re që duhet ti jepja një mjekim që e kisha me 200 mendje, thosha a do t’ia jepje këtë vajzës tënde. Në këtë pozicion do ta vazhdoj këtë gjykim. Kalorësi nuk zbritet nga kali për t’u nderuar me një tjetër, në mes të garës. Ndaj dikush duhet lënë të mbarojë punën e nisur.

Si e mendoni faktin që në qeveri është një forcë tjetër politike. Si do e zgjidhni këtë marrëdhënie?
Ne mund të vijmë nga dy parti të ndryshme politike por në të dy rastet partitë mendojnë për qytetarin. Unë mendoj se nëse një kryeministër thotë se do bëj më të mirën për qytetarët e këtij vendi, dhe unë si menaxhues i një pjese të këtij vendi, shoh se ky është treguesi i interesave të përbashkëta për qytetarët. Unë nuk jam konkurrenti i Ramës e as i Bashës, nuk kam interesa për karrierë politike. Mendoj për t’i çuar shërbimet tek qytetarët.

Çfarë do të ndodhë me projektet e pambyllura të Bashës, keni menduar për këto?
Këtë nuk ma lë Basha, por konflikti politik. Unë nuk jam brenda këtij konflikti politik. Basha dhe Rama konkurrojnë se kush do jetë kryetari i ardhshëm i qeverisë. Rama do të përkrahë punën time pas zgjedhjeve të 21 qershorit.

Nga takimet e deritanishme keni marrë pakënaqësi për Bashën, për mënyrën sesi është qeverisur Tirana në këto 4 vite?
Të bësh punë për qytetarët për 4 vite nuk është e lehtë. Unë nuk jam marrë me gjëra të tilla. Unë e kam marrë punën aty ku e kam marrë, dhe dua të vazhdoj të përmirësoj situatën. Do mundohem të plotësoj angazhimet e mia, të vazhdoj ato projekte që janë pozitive, dhe të rregulloj aty ku ka vend për përmirësime. Asnjë person i cili cënon punën e Bashës apo timen, nuk do të ketë vend pranë meje. Do bëj më të mirën për qytetarin. Kam çuar në Prokurori një nga drejtuesit e materniteti për faktin se 30 ma bëri 300 apo 12 ma bëri 212. Këtë unë nuk mund ta falja. Nuk është dita më e lumtur e imja, por s’mund të bëj ndryshe.

Nëse gjeni letra të tilla në Bashki do të bëni të njëjtën gjë?
Kush punon me mua, nuk mund të bëjë ndryshe. Do ndjekë ritmin e punës time.

Ju si kryebashkiak kë do keni si prioritet?
Sapo fillova sot të prezantoj programin tim. Pika e parë është Tiranë e pastër dhe e gjelbër.

Përse keni zgjedhur këtë?
Brenda këtij termi janë disa fakte të dukshme ose të padukshme që ndikojnë në jetën e Tiranës. Si do mblidhen mbeturinat, çfarë do të bëjmë konkretisht për pastrimin e ajrit. Cilësia e ujit, cilësia ushqimore, është edhe gjelbërimi për të cilin asnjëherë nuk mund të themi mjaft.

Çfarë do të bëhet realisht me ujin?
E para e punës përpara se të marrësh rrugën për të zgjidhur diçka duhet të dish si janë punët. Kam qenë në Shëngjergj, Tirana ka burime uji por duhet gjetur zgjidhja si duhet sjellë ky ujë. Unë do merrem seriozisht me këtë punë. Unë kam takuar edhe zotin Ngjela që realisht i ka fituar zgjedhjet, sipas informacioneve. Më tha të gjithë idetë e tij se si kjo mund të bëhet e dukshme, reale. Çdo ide, çdo mundësi të mirë unë do ta marr dhe do ta shoh si ta bëj realitet.

PD po qeveris sot Tiranën, përse nuk e ka zgjidhur Basha problemin e ujit?
Po të më kishe thënë para emisionit do ta pyesja, nuk më the, nuk e kam pyetur.

Çfarë do të bëni për kopshtet dhe shkollat?
Ju insistoni ti them të gjitha pikat e programit. Por unë kam 5 ditë për secilën nga një çështje. Sot e kisha për gjelbërimin, nesër e kam për arsimin e me radhë. Në rrjetet sociale do publikoj programin tim dhe do jemi të hapur për çdo sugjerim nga ana e qytetarëve. Po punoj që të kem edhe një kontakt direkt me banorët e Tiranës, në mënyrë që gjithsecili të ketë mundësi të më sjellë propozimin e tij.

Qëndrojmë tek Tirana e pastër dhe e gjelbër. Kur flasim për një Tiranë të gjelbër, duket si utopike, qytetari tha betonizim, nuk ka mundësi të ndërtohen lulishte…
Betonizimi jo i këtyre 4 viteve por i 11 viteve më parë. Më parë bëja shaka se më vinin gratë më thoshin aman shih se mos kam dy fëmijë, pse i thosha çfarë halli ke, shumë mirë. Aman se nuk kam vend ku ti mbaj në pallat, aq ngushtë. Pallatet ngjitur. Asnjë nga arsyet që kanë shtyrë betonizimin e Tiranës, nuk mund të më largojë nga ideja për të bërë më të mirën për Tiranën.

Leje ndërtimi tek Diga e Liqenit…
Për mua i pari është interesi i qytetarit. Jam për shtet ligjor. Për atë problem që thoni ju është në gjykatë dhe vendimi i organeve të drejtësisë do të zbatohet.

Kundërshtari juaj thotë se do të prishë planin rregullues, 60 leje të dhëna… Keni një qëndrim?
Kam këtë qëndrim. Kushdo që del para qytetarëve të Tiranës dhe u thotë unë do të bëj këtë. Duhet të ketë dy gjëra: E para nuk duhet të jetë fals dhe e dyta të ketë dhënë prova që mund ta bëjë. Unë kam dhënë prova. Unë i kam ngjitur shkallët avash-avash deri sa kam arritur deri këtu dhe sot pas kësaj eksperience dal para qytetarëve për të marrë më shumë përgjegjësi.

Po projektet e mëdha të Bashës, për bulevardin e Tiranës?
I thashë edhe më sipër që do vijoj me projektet dhe investimet.

Mund të flasim për një kosto totale të programit tuaj?
Jam ende në fazën që them do bëj këtë dhe këtë. Besoj se e mbyll të mërkurën qe vjen. Një kosto ka ndërtimi i landfillit. I kam të gjitha të dhënat se çfarë do bëjmë. Do t’i them ditë për ditë.

Doktor kush ju këshillon për çështje të veçanta?
Fjalimi gjithmonë buron nga zemra. S’mund të lexoj letra që shkruajnë të tjetër. Dëgjoj çdo njeri, se ide të mira vijnë atje ku s’ta pret mendja. Kam edhe ekspertët e çdo fushe.

Ju trembin shifrat?
Nuk më trembin këto. Nuk dua të përsëris gjëra që i kam thënë.

Programi politik i News 24 ‘Studio e Hapur’ i gazetares Eni Vasili ka filluar kështu maratonën elektorale të titulluar “Çelsat e bashkisë”, duke shtuar takimet me publikun nga një në tre herë në javë për të kulmuar më pas me takime të përditshme.

Që nga 19 maji ‘Studio e Hapur’ do të jetë në transmetim 3 herë në javë, përkatësisht të martë, të enjte dhe të premte dhe nga një qershori pesë herë në javë, nga e hëna në të premte. Dje në mbrëmje, i ftuar i emisionit ‘Studio e Hapur’ ka qenë ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

(m.k/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb