KORÇË-Bashkia e qytetit të Korçës ka bërë sot një tjetër kërkesë për urdhër mbrojtje ndaj 10-vjeçares që akuzon nënën për ushtrim dhune. Kërkesa u bë nga Njësia për mbrojtjen e Fëmijëve në këtë Bashki.
Një ditë më parë Gjykata e Korçës rrëzoi kërkesën për urdhër mbrojtje të bërë nga një shoqatë për mbrojtjen e fëmijëve. Sipas Gjykatës në raport mungonin provat e nevojshme.
Gjyqtarja Voskopi deklaroi se nuk ka pasur ushtrim dhune ndaj të miturës. Sipas gjyqtares prerja e flokëve të vajzës nuk përbën dhunë. Kërkesa për urdhërmbrojtje për të miturën u bë nga një qendër komunitare. Një nga punonjëset e qendrës tregoi për News24 se vajza i kishte deklaruar edhe se ishte dhunuar seksualisht. 10vjeçarja u ankua në polici se dhunohej nga e ëma dhe nuk lejohej të shkonte në shkollë. Sipas dëshmisë së 10vjeçares e ëma e detyronte të lypte në rrugë.
VENDIMI I GJYKATËS
Sipas Gjykatës së Korçës në rastin e 10vjeçares mungonte raporti i psikologes dhe shërbimit social. Gjykata sqaron se policia nuk është regjistruar si paditëse por ka regjistruar si të tillë vajzën e mitur.
10-VJEÇARJA NE POLICI: MAMAJA MË QETHI FLOKËT ME DHUNË, MË DETYRON TË LYP
E mitura ka rrëfyer për News24 se mamaja i ka qethur flokët me dhunë dhe e detyron të lypë bashkë me vëllezërit dhe motrat. “Mamaja nuk na lë të shkojmë në shkollë.” shprehet e mitura. 10vjeçarja u çua për të bërë denoncimin nga një qendër komunitare.
(a.n/BalkanWeb)