TIRANË- Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla deklaroi sot sërish se nuk ka asnjë lidhje me “Toyotat” me euro që u kapën në Durrës dhe me personat e përfshirë. Ndërsa dje reagoi nëpërmjet një statusi në “Facebook”, sot Balla doli para mediave me zë e figurë duke akuzuar kreun e PD-së Lulzim Basha për dekonspirim të operacionit.

Deputeti socialist i akuzuar nga Basha se garantoi hyrjen e parave në Shqipëri, tha se kreu i PD rrezikoi aksionin. Balla tha se nëse i provohet edhe një lidhje e vetme me personat e përfshirë jo vetëm që lë mandatin por është i gatshëm t’i bëhet gjyqi në sheshin “Skënderbej”.

“U them të gjithë atyre që më kanë besuar mandatin se kjo akuzë nuk qëndron në asnjë përqindje të saj. kjo akuzë është nxjerrë nga goja e Bashës në një moment të papërgjegjshëm në një seancë ku të gjithë qeshnim me të. Deklarata e Policisë së Shtetit ishte shteruese sa i përket personave të arrestuar, atyre ende në kërkim dhe atyre që përbëjnë gjithë grupin kriminal.
Përgëzoj policinë që aksione të tilla të ketë sa më shumë dhe prapa hekurave të shkojnë të gjithë kriminelët. Duke falënderuar policinë sigurisht me sa jam njohur dhe nga deklarata e policisë kam kuptuar që një institucion ligjzbatues ka pasur rrjedhje informacioni tek një person i papërgjegjshëm, që është Lulzim Basha. Vuri në rrezik vijimin normal të aksionit. Por fatmirësisht këtë person nuk e marrin seriozisht as personat me të shkuar kriminale. Që Taulant Balla nuk ka as një lidhje me ndonjërin prej këta ju garantoj me përgjegjësi penale. Jo mandatin e deputetit por jam gati të më bëhet edhe gjyqi në sheshin Skënderbej nëse me gjendet ndonjë lidhje me ta”, deklaroi Balla.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb