TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama bën me dije se Lëvizja Socialiste për Integrim rezulton forcë e parë në 9 bashki ku ka përfunduar numërimi për Këshillat Bashkiak ndërkohë që pritet të dalë e tillë edhe në shumë bashki të tjera ku procesi i numërimit është në vazhdim.

Në një deklaratë për mediat Rama theksoi se LSI rezulton forcë e parë në Skrapar, Delvinë, Dropull, Mirëditë e Klos ku ka përfunduar numërimi por edhe në Kurbin, Bulqizë, Rrogozhinë, Elbasan, Pogradec, Këlcyrë e Memaliaj. Ai theksoi se ka një rritje 50% dhe më shumë krahasuar me 2011 dhe 2013.
“LSI është forcë e parë në Skrapar, Delvinë, në bashkinë e Dropullit, Mirditës dhe Klosit ku ka përfunduar numërimi dhe në një sërë bashkish të tjera. LSI është forcë e parë në edhe në Pukë, Kurbin, Bulqizë, Rrogozhinë, Elbasan, Pogradec, Përmet, Këlcyrë dhe Memaliaj. Është për t’u evidentuar se në një pjesë të madhe të numërimit LSI ka rezultate të shkëlqyera një rritje 50% dhe më shumë krahasuar me 2011 dhe 2013. Këto rezultate konfirmojnë rritjen e besimit, mbështetjes dhe përkrahjes së qytetarëve shqiptarë për LSI, alternativën e saj.”- u shpreh Luan Rama.

Ai uroi në emër të LSI-së kandidatin e ASHE-së për Bashkinë e Tiranës Erion Veliaj i cili është në avantazh të thellë ndaj kandidatit të APPD-së Halim Kosova.

“Në emër të LSI i dërgoj një urim të veçantë kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj me shpresën që jo vetëm do përmbushë premtimet e bëra, por do e kthejë Bashkinë në një shtëpi të madhe të qytetarit.”- u shpreh Luan Rama.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: