Kryeministri grek Alexis Tsipras ka deklaruar se çështja çame nuk ekziston. Tsipras ka folur sot për negociatat që po zhvillohen mes Greqisë dhe Shqipërisë duke u shprehur se klima është pozitive.
Por pavarësisht kësaj, ai ka thënë se çështja çame nuk është shtruar në tryezën e diskutimeve.

“Negociatat po zhvillohen në nivel ministrash të jashtëm. Ka çështje të vështira, por bisedimet janë në klimë pozitive. Në mënyrë që Greqia të mbështesë hapjen e kapitujve të negociatave të integrimit duhet që të kryen një sërë reformash dhe premtimesh që ka bërë qeveria shqiptare”, tha Tsipras.

Lidhur me çështjen çame, Tsipras tha: “Janë dëgjuar shumë për këto negociata. Shumë nga çka janë thënë nuk kanë lidhje me realitetin. Brenda kuadrit të bisedimeve është edhe mirëmbajtja e piramidave që shënojnë kufijtë me vendin fqinj dhe disa thanë se po shkojmë të bëjmë një ripërcaktim kufijsh. Gjithashtu, disa insistojnë të fusin nga dritarja çështjen çame. Nuk ekziston një çështje e tillë.
Dhe sigurisht do të thosha që në këto çështje do të ishte mirë të kishte më shumë konsensus, sepse në çështje kruciale kombëtare duhet të ketë informim, mirëkuptim dhe besim”.

Kryeministri grek tha më tej se Greqia po lëviz me një strategji të qartë të zgjidhjes së problemeve.
“Jo tërheqja nga vijat kryesore kombëtare, por zgjidhje të problemeve. Me qëllim që të shndërrohet në një vend lider në rajon, një vend që zgjidh probleme, që nuk është faktor problemesh, por faktor zgjidhjesh. Dhe në fund të fundit, të orientohet dhe në çështjen kryesore, që janë marrëdhëniet greko-turke. Aty ku duhet të fokusojmë rëndesën e diplomacisë sonë periudhën e ardhshme”, deklaroi Tsipras.

Kryeministri grek ka folur edhe për çështjen e kufijve mes Kosovës e Serbisë. “Në qoftë se ka një marrëveshje midis qeverisë serbe dhe nga Kosovës, që do të japë mundësinë e një zgjidhjeje, ne nuk kemi arsye për të qenë kundër”, tha ai.
 
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb