Komisioni për çështje kushtetuese në Kuvend miratoi nevojën për ndryshime kushtetuese në përputhje me marrëveshjen e Prespës. Me shumicë votash, iniciativa mori dritë jeshile për në seancë plenare.

Opozita vazhdon në këmbëngulje se nuk do t’i mbështesë ndryshimet kushtetuese, duke i cilësuar si e keqja më e madhe që po i ndodh Maqedonisë, shkruan “Alsat”.

Kjo temë është shoqëruar me debate të shumta nga të gjithë palët politike, të cilat njëherësh kanë përcjell edhe qëndrime dhe rezervat e tyre.

“Momenti më i rëndë dhe më i tmerrshëm në jetën time dhe historinë e Maqedonisë është që të kërkosh hapjen e Kushtetutës me qëllim që ta ndryshosh emrin e shtetit, që më të mos ekzistosh. Emrin i cili përmendet në dokumentin më të vjetër në botë, biblën, emrin mbi të cilin është bërë gjithçka Maqedonase nga fillimi i botës. Ne sot po e ndryshojmë nën pretekstin për jetë më të mirë. A mundet dikush të ma shpjegoj këtë – tha Trajço Dimkov, Deputet i VMRO-DPMNE-së.

Kryeministri Zoran Zaev vazhdon të besojë se falë shansit historik, opozita do të reflektojë në të mirën e popullit maqedonas.

E di që e duam Maqedoninë dhe duam të njihet nga të gjithë. E di se përgjegjësia për NATO dhe BE është tek të gjithë ne. Bisedoj me të gjithë deputetët dhe e di se ka shumë deputet nga opozita të cilët seriozisht mendojnë për versionin çka nëse e lëshojmë këtë shans. Marrëveshje më të mirë nuk ka dhe tjetër nuk ka. Ejani ta shohim nëse me Kushtetutë mund të ndryshojmë diçka, të shkojmë paralelisht dhe t’i përafrojmë qëndrimet dhe të mund ta përmbyllim çështjen bashkërisht rreth identitetit dhe gjuhës – u shpreh Zoran Zaev, Kryeministër.

Ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov i cili ishte në fokus të akuzave nga deputetët opozitarë, kërkoi nga VMRO-DPMNE-ja që të tregoj arsyen e vërtetë pse nuk mbështet ndryshimet kushtetuese.

Në cilin zë të qytetarëve thirreni dhe cili zë dëgjohet më fuqishëm. Ai i mbi 600 mijë që votuan për, ata që votuan kundër mbi 37 mijë apo qytetarët që heshtën. Si do ta dëgjojmë zërin e qytetarëve që heshtën? – deklaroi Nikolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm. Të hënën propozimi do të vendoset në rend dite në seancë plenare. Pas diskutimit 10 ditorë, Kuvendi me 2/3 e votave duhet të votojë nevojën për ndryshime kushtetuese. Shumica parlamentare akoma është duke negociuar me kolegët opozitar për të siguruar numrat e nevojshëm.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb