Kohët e këqia kanë kaluar. Pasi i dha fund serisë negative me fitoren 3-2 kundër Bayer Leverkusen, te Borusia e Dortmundit mund të festojnë edhe për një tjetër lajm të mirë. Marco Reus ka kaluar dëmtimin dhe është gati të zbresë në fushën e lojës. Kapiteni i skuadrës veredhezi u dëmtua në sfidën e Kupës së Gjermanisë kundër Werder Bremen dhe që nga ajo ditë ka qëndruar jashtë fushe, një mungesë e rëndësishme e pasqyruar edhe në ecurinë negative të ekipit të drejtuar nga Lucien Favre.
Përpara fitores të së dielës, Borusia Dortmund kishte regjistruar përveç humbjes së thellë në Champions kundër Tottenham edhe tre barazime radhazi në Bundesligë, që i lejuan rivalëve të përjetshëm të Bayern Munich të ngushtojnë në vetëm tri pikë diferencën në tabelën e renditjes.
Marco Reus i është bashkuar skuadrës në seancën stërvitore dhe është gati për ndeshjen e ardhshme, atë të së premtes në mbrëmje, në transfertën kundër Augsburg. Me rikthimin e kapitenit, Borusia Dortmund shpreson të rigjejë ecurinë e shkëlqyer me të cilën nisi këtë sezon si dhe armën më të fortë në objektivin për titullin kampion.
(balkanweb)