TIRANE – Trotuare të zëna nga karrige lokalesh apo nga tezgat e ambulantëve nuk do të tolerohen më në rrugët e Tiranës. Bashkia e Tiranës ka vijuar edhe sot aksionin e nisur një ditë më parë për lirimin e hapësirave publike. Nënkryetari i Bashkisë, Andi Seferi theksoi se nuk do të ketë asnjë lloj kompromisi me ata që kanë zaptuar hapësirat publike.
“Nuk do të ketë asnjë lloj kompromisi, çdo gjë që bëhet, bëhet duke u konsultuar me dokumentacionin që paraqitet. Konfirmojmë që ky nuk do të jetë një aksion, por një punë e përditshme e Bashkisë së Tiranës. Kundravajtësit do të gjobiten.”- deklaroi Seferi.
Aksioni për lirimin e hapësirave nisi një ditë më parë në Njësinë nr.5, pranë stadiumit “Dinamo”. Kryebashkiaku Veliaj u bëri edhe një apel shitësve ambulantë që të shesin në tregjet e bashkisë, që aktualisht janë bosh dhe jo nëpër rrugë. Sipas tij, çdokush ka të drejtën që ecë normalisht nëpër rrugët dhe trotuaret e qytetit. “Vetëm dy metra! Dy metra është hapësira minimale që i duhet një personi të kalojë në trotuar”, tha Veliaj.
Po ashtu, ai ka theksuar se nuk do bëhet vetëm lirimi i hapësirave publike, por edhe do të rehabilitohen pasojat që paligjshmëria ka lënë në terren, siç është pastrimi i inerteve apo edhe gjelbërimi i hapësirave të caktuara.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: