Në një lidhje të drejtpërdrejtë në Koha për t’u zgjuar” me Klevin Mukën në News24, ishte sot Teuta Nunaj Kortoçi, ekonomiste, pedagoge, publiciste.

Ajo foli në lidhje me pensionet dhe bëri një krahasim mes sistemit që kemi në Shqipëri dhe sistemit që aplikohet në shtetin italian.

“Italia ka një nga sistemet sociale më mbrojtëse në të gjithë botës, edhe pse në 3 dekadat e fundit po pëson probleme financiare. Thelbi i skemës sociale dhe shëndetësore është që është një sistem gjithëpërfshirës, pra të gjithë qytetarët kanë të drejtën e përfitimit të një pensioni, qoftë ai pension i pleqërisë që llogaritet me vitet e punës dhe konstributet e derdhura, dhe në pensionin social. Ndryshe nga Shqipëria, pensioni social jepet në sajë të të ardhurave që ky person ka pasur. Italia ka një element që ne në Shqipëri e kemi hequr, që është pensioni i parakohshëm”, tha ajo.

Kortoçi ka analizuar gjithashtu se një nga të mirat e sistemit të shteteve si Italia, por jo vetëm, është se pensioni nuk pritet vetëm në një drejtim, dhe skema e pensioneve nuk mbingarkohet.

“Shteti italian subvencionon skemën e pensioneve në rastet kur ka mungesa. Skemat kanë 3 kategori pensionesh, ai publik, privat vullnetar dhe shtylla tjetër është pensionet private të detyrueshme. Mund të quhet edhe si organizim sindikal por është një detyrim ligjor, i rregulluar me ligj. Funksionon me anë të kontratave kolektive.
Pra nuk rëndohet skema sepse nuk pritet vetëm në një drejtim që të merret pensioni. Janë sisteme të cilat kanë menduar për zgjidhjen para viteve ’90. Krizat e para nisën në vitet ’70-’80”, tha ajo.

Kortoçi foli edhe në lidhje me mundësinë e një pensioni të 13 në Shqipëri, ku tha se jemi vetëm në hapat e para dhe nëse kjo do të bëhej realitet, do të trumpetohej shumë më shumë se vetëm në një dokument.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb