Parlamenti do të vendosë sot për fatin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Ashtu si çdo javë, seanca plenare do të nisë në orën 10:00. Ajo që mbeti e paqartë nga vendimi i marrë në Këshillin për Mandatet është qëndrimi i shumicës socialiste ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në vendimin e saj për çështjen “Xhaçka” thuhet se kur e 1/10 e deputetëve ngrenë një mocion për papajtueshmërinë e mandatit të një deputeti, kuvendi është i detyruar ta dërgojë çështjen për shqyrtim në themel në “Kushtetuese”.

Në mungesë të një qëndrimi nëse shumica socialiste do ta çojë ose jo për shqyrtim mandatin e Olta Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese, ajo tha se deri të mërkurën do të përgatisë një raport ku do të rendisë argumentet e saj ligjore ndaj vendimit të “Kushtetueses”. Të njëjtin qëndrim pati edhe Enkelejd Alibeaj, i grupimit tjetër të Partisë Demokratike.

Kujtojmë se në qershorin e 2022-it opozita dërgoi në kuvend mocionin që kërkonte që papajtueshmëria e mandatit të Olta Xhaçka të shqyrtohej nga Gjykata Kushtetuese. Sipas opozitës ish-ministres së Jashtme Xhaçka duhet t’i hiqet mandati i deputetes pasi është në konflikt interesi me shpalljen nga qeveria të bashkëshortit të saj Artan Gaçi investitor strategjik.

Pas ankimimit në janarin e një viti më parë “Kushtetuesja” ia njohu këtë të drejtë opozitës dhe kërkoi që mandati i Olta Xhaçkës të shqyrtohet nga kjo gjykatë pasi të votohet në parlament. Më shumë se një vit nga ky vendim i “Kushtetueses” që detyron Kuvendin të miratojë kërkesën e opozitës do të përcaktohet sot nëse fati i mandatit të Xhaçkës do të shqyrtohet ose jo në themel nga Gjykata Kushtetuese.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: