O Edi! O Ediii! O Eeeeedddiiiiiiiiiiiii! A je në terezi? A je në metro, a s’je në metro?! O Edi, o vrasës Flamingosh. Po ç’i ke ato fjalë o Edi? Ç’e ke atë mënyrë të shprehuri, o kryeministri i Shqipërisë! O i pari i vendit!

Po si mund të tentosh të vrasës shpresën e flamingove, o i mjerë. O ti që me demek je i pari i kuvendit. O babai i Kombit! O ti që të pëlqen të shihesh në pasqyrë e të identifikohesh me ‘Smail Qemalin. O palo burrë! Po kjo është gjuha që përdor babai i kombit kur u drejtohet qytetarëve të vetë? Iu ranë puplat flamingove the?! F*ck you the?! Pu, pu, pu, puuuuuu!

Po ti ke humbur kontaktin me realitetin o i ngratë. Ti na ke braktisur këtu e vite më parë. Ti vetë e di më qartë e më saktë se ku dhe kur e humbe rrugën! Kur i zëvendësove ato dy vlera – nëse i ke pasur ndonjëherë – me etjen për pushtet të pashtershëm!

Po si mund të shash flamingot e shpresës o mjeran?! Ti s’i ke parë se je verbuar dhe s’sheh më qartë, por po ta them unë që kam qenë në shesh dhe i kam parë. A e di se si quhet një grup flamingosh në anglisht o Edi? “A flamboyance”. Dhe flamingot tanë të shpresës janë flambojantë Edi, janë të bukur sa më s’ka Edi, janë arsyeja pse brenda nesh ka 26 ditë që rilindi shpresa që ti ke tentuar të vrasësh në këto 13 vjet, o, Edi, Rama.

Unë i kam parë në shesh Edi, dhe ata e ato janë po aq të bukur brenda sa ç’janë edhe jashtë. Jo jo, ata janë EDHE më të bukur brenda sesa jashtë, o Ed i verbër. Janë më të bukur se ti dhe se unë sepse ata janë burim shprese për Shqipërinë e shqiptarëve, jo të pushtetarëve. Për Shqipërinë ku i pari i vendit nuk i shan, por i sheh – e përsëris, i sheh – dhe i vlerëson. I sheh dhe u thotë “bravo”, u thotë “forca”, u thotë “kurajo”. I sheh dhe u thotë “Jam krenar për ju, sepse puna ime si kryeministër paska dhënë fryte dhe Shqipëria tashmë ka shpresë! Shqipëria tashmë është në duar të sigurta”!

A ua thua dot këto fjalë o Edi? A na i thua dot këto fjalë të gjithëve ne që dalim në shesh e protestojmë kundër teje? Nuk na i thua dot o i mjerë. Pashë ca foto të tuat së fundmi. Ca të 2013-ës, kur dilje nëpër spote elektorale e thoshe “Uuuuunë jam e mira dhe Saliu është e keqja”! Kështu të besova dhe të votova në 2013-ën. Po nejse, kthehemi te ti. Dikur kishe një buzëqeshje o Edi, sot dukesh mynxyrë. Dikur mbase një fije fare fare fare të hollë shprese arrije ta transmetoje, sot nuk transmeton asgjë. Je bosh. Je komplet bosh.

Mirë vetë që je bosh, por me Flamingot e shpresës çfarë ke o i marrë? Me ne që ngrejmë zërin kundër teje çfarë ke o i marrë? Mirë që brenda vetes nuk të ka mbetur asnjë fije mirësie e dhembshurie, po me shpresën tonë çfarë ke? Me “puplat” tona çfarë ke?! Përse do të na mbysësh edhe ne në trishtimin që të ka kapur ty? Përse duhet të humbim edhe ne rrugën vetëm e vetëm sepse e humbe ti? Përse duhet të të ndjekim ty në errësirë vetëm e vetëm sepse ti je në errësirë?

IK, o vrasës i shpresës. Merr shpurën tënde dhe ik e merr arratinë. Ndiq shembullin e “Tigrit” tënd dhe të pjesëtarëve të tjerë të kopshtit tënd zollogjik kudo ku janë degdisur nëpër botë. Ik o i pashpirt e na lër të jetojmë ne që duam të jetojmë për ideale e jo për pushtet, për një shoqëri të drejtë e jo një shoqëri depresive, për një shoqëri ku mbizotëron dashuria për njëri tjetrin e jo ndasia, për një shoqëri ku mirëqenia është për të gjithë ne dhe jo ekskluzivitet i yti dhe i shpurës tënde po aq të verbër sa ti.

Deri sa të vendosësh të shporresh, ja ku po ta them që unë jam dhe do jem atje në shesh me flamingot të cilëve jo që puplat nuk u kanë rënë, por u janë qindra- e mijëra-fishuar. Merre me terezi, se edhe ne me terezi po e marrim. Po na pëlqen shumë se sa qesharak po bëhesh orë pas ore. Po gajasemi. Po na ushqen imagjinatën. Po na ushqen kreativitetin.

P.S.: Do të të shkruaja edhe më gjatë por erdhi ora të shkoj në shesh të flamingosem. Mezi e pres këtë orë, vendi s’më mban. Më vjen keq për ty se s’ke për çfarë të jetosh në këtë jetë. Të mëshiroj. Këshillë miqësore: shko në YouTube dhe kërko “Hop Hop ti Ramingo”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb