Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dëshiron ta ketë në radhët e saj Shpend Ahmetin, kryetarin aktual të Prishtinës. Ky i fundit thuhet se është përfshirë në një debat brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Këtë mundësi po përpiqet ta shfrytëzojë partia e kryeministrit Haradinaj. Shpend Ahmeti dhe Ramush Haradinaj tradicionalisht kanë pasur raporte të mira mes vete. Madje, para krijimit të FER-it, Ahmeti kishte negociuar kalimin e tij në AAK. Blerim Kuçi, i cili thuhet se po negocion me Ahmetin, ka folur për Express-in. “Po, kemi afërsi me Ahmetin”, ka thënë ai. Deputeti i AAK-së, Blerim Kuçi, thotë se janë duke përcjellë zhvillimet brenda VV-së. Megjithëse, sipas tij, nuk i gëzohen aspak kësaj krize, AAK-ja po pret se si do të rezultojë. “Pasi të shohim që kanë marrë ndonjë vendim, atëherë ne do të bisedojmë”, i tha Blerim Kuçi Gazeta Express përmes telefonit, i pyetur nëse AAK-ja i ka bërë ftesë Ahmetit për të aderuar.

“Me sa di unë ftesë nuk ka, por afërsi ka”, tha ai. “Ne kemi afërsi (me Shpend Ahmetin) Afërsi kemi, por asgjë zyrtare nuk ka”, përsëriti deputeti i AAK-së, i pyetur për negociatat mes kryetarit të kryeqytetit me partinë e kryeministrit. Përplasjet të pasuara me dorëheqje në VV kanë rritur gjasat që kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, të marrë rreshtim të ri politik. AAK-ja e kryeministrit Ramush Haradinaj, sërish përmendet si opsioni më real që Ahmeti të vazhdojë rrugëtimin e tij politik. Madje, Ahmeti ka edhe një “borxh” ndaj partisë që sot bashkë më PDK-në e Nismën drejtojnë vendin. Ramush Haradinaj, sot kryeministër, në vitin 2016 kishte hequr dorë nga ambicia e tij për shef të ekzekutivit, vetëm që Ahmeti të kandidohet për këtë post nga blloku i asokohshëm opozitar VV-AAK-Nisma.
E pikërisht kjo kishte ndarë bllokun që shihej si shpresë për largimin e PDK-së nga pushteti një dekadë.

Dardan Molliqaj, ish-sekretar organizativ i VV-së, kishte kundërshtuar që Ahmeti të jetë kandidati konsensual për kryeministër i bllokut opozitar. Madje, këtë e kishte shprehur edhe me arrogancë e britma fyese, në një takim në oden e Haradinajve, në shkurt të vitit 2016. Për dramën e asaj nate deri më tash kanë folur nikoqiri Ramush Haradinaj e Bilall Sherifi me të cilin Molliqaj e kishte nisur përplasjen. Por edhe vetë tashmë i dorëhequri nga VV-ja kishte dhënë versionin e tij. I vetmi që ende nuk ka folur, as pas dy vjetësh, është Shpend Ahmeti. Mbase, tash kur Molliqaj po mundohet ta bindë atë të rreshtohet në krahun e tij kundër “babë” Albinit, Ahmeti do ta thotë fjalën e tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb