Më 20 shkurt 2025, në lidhje me rastin e Armando Ukas, Avokati i Popullit ka deklaruar se është administruar pretendimi për vonesat në procedurat për ekzekutimin e vendimit penal për bashkimin e dy vendimeve, i cili ka marrë formë të prerë në 28 qershor 2024.

Nga kërkesat e Avokatit të Popullit rezulton se Prokuroria e Lezhës për këtë rast ka deklaruar se Organi i Prokurorisë nuk e ka nxjerrë urdhrin e ekzekutimit për vendimin penal të datës 29.05.2024 dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë ndaj shtetasit Armando Uka pasi nuk kemi përgjigje për dinamikën e  vuajtjes së dënimit nga autoritetet Italiane.

Avokati i Popullit deklaron se duke marrë shkas nga ky fakt i bërë prezent prokurorisë, i është drejtur me shkresë në 13 dhjetor 2024 Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme, ku i kërkonin informacion lidhur me këtë rast.

“Përfundimisht i jemi drejtuar të gjitha institucioneve, Avokatit të Popullit, Prokurorisë së Përgjithshme, Ministrisë, Komisionerit Publik por ndonjë zgjidhje konkrete nuk kemi patur.”- u shpreh avokati Gjergj Neli.

Por Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Marrëdhënieve Juridike me Jashtë pranë Prokurorisë së Përgjithshme në përgjigjen e tyre shprehen se:

“Nuk kemi akoma asnjë përgjigje për informacionin e kërkuar nga autoritetet italiane lidhur me dosjen penale të shtetasit Armando Uka”.

Me përgjigjen e 23 dhjetorit 2024, Prokuroria Lezhë shprehet se:

“Organi i Prokurorisë ka nxjerrë urdhrin e ekzekutimit për vendimin penal 29.05.2024 dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë ndaj shtetasit Armando Uka dhe e ka përcjellë në IEVP Reç me shkresën nr.18156 prot dt. 5.12.2024. Dinamika e vuajtjes së dënimit dërguar nga autoritetet italiane nuk ishte e saktë dhe për këtë arsye me shkresën nr. 30 prot. Dt. 06.12.2024 përmes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Drejtësisë kemi kërkuar të na dërgohet dinamika e saktë e vuajtjes së dënimit në shtetasin Italian”.

Por në këtë rast, nga shkresat që kanë patur midis tyre avokatët e Armando Ukas pretendohet se dokumentet italiane janë dërguar edhe në Burgun e Reçit në Shkodër, si edhe nga dëshmia e avokatit Neli për emisionin “Vetting”.

Armando Uka tha për “Vetting”: “Fati im që u dha dhe amnistia, që e dha dhe qeveria, me uljet e dënimit me çfarë kisha, unë e mbarova burgun. Tani pse më ka mbajtur më shumë, kisha qejf me e pyet personalisht, kam frikë se më akuzon edhe për ndonjë gjë tjetër pastaj”.

Por qendrimi në burg padrejtësisht ka dëmtuar Armando Ukan pasi gjatë kohës që ai pretendon se duhet të ishte liruar i ka ndodhur një fatkeqësi.

“Ka ndodhur… Është përmbysur bota për mue o shoku. Më vdiq babai në kohën që unë duhet të isha i lirë, jo në kohën kur unë po vuaja dënimin. Që mue babai më ka vdekur para një muaji e gjysëm, që kam bërë 11 muaj burg, më është përmbysur bota, ma ka prish krejt jetën.

E kisha të prishur përpara, për veprën që kam bërë dhe e kam marrë përsipër dhe e kam bërë burgun për atë gjë. Por ky 11 muajshi e mbrapa, nuk është problemi im. Është problemi i Prokurorisë.”- dëftoi Armando Uka

Avokati Gjergj Neli tha: “Paraqitej i lodhur, i stresuar dhe gjatë kësaj kohe duke parë dhe zvarritjen, ka patur pasoja i dënuar sepse nuk ka një muaj që i ka vdekur babai. Pra, ky ishte në ambientet e burgut, i vdiq pa pjesëmarrjen e tij, pa ia pa dritën e syve.”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb