Një rruazë unike 1 600-vjeçare, e bërë nga ari i pastër, u zbulua nga një vullnetare 18-vjeçare duke shoshitur papastërtitë në një zonë arkeologjike të Jerusalemit, njoftoi sot Autoriteti izraelit i Antikiteteve.

Rruaza u zbulua nga Hallel Feidman, e cila ishte duke shoshitur papastërtitë e hequra nga një strukturë romake e zbuluar në gërmimin e Rrugës së Pelegrinazhit, në një zonë jashtë mureve jugore të qytetit të vjetër të Jerusalemit, i njohur si Qyteti i Davidit.

“E hodha kovën në sitë dhe fillova të laja materialin që u soll nga gërmimet”, tha Feidman.

“Dhe më pas pashë diçka të shndritshme në cep të sitës, ndryshe, që normalisht nuk e shoh. Menjëherë iu drejtova arkeologut dhe ai më konfirmoi se kisha gjetur një rruazë floriri. Të gjithë këtu ishin shumë të emocionuar”, theksoi ajo.

Feidman punonte për Autoritetin e Antikiteteve si pjesë e një periudhe njëvjeçare të shërbimit vullnetar kombëtar.

Për mijëra adoleshentë izraelitë, shërbimi kombëtar, i njohur si “Sherut Leumi”, është një periudhë një ose dyvjeçare e punës vullnetare si një alternativë ndaj shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Sipas Autoritetit të Antikiteteve, rruaza të ngjashme janë zbuluar në shpellat e varrimit në zonën e Qytetit të Davidit edhe nga 2 500 vjet më parë, që korrespondon me fundin e periudhës së Tempullit të Parë.

“Gjatë gjithë viteve të mia në arkeologji, kam gjetur ar ndoshta një ose dy herë, kështu që të gjesh bizhuteri ari është diçka shumë e veçantë”, tha Amir Golani, ekspert i bizhuterive të lashta në Autoritetin e Antikiteteve.

Ai vuri në dukje se rruaza ishte ndoshta pjesë e një gjerdani ose byzylyku që përfshinte rruaza shtesë dhe se i takonte një të pasuri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb