Gazetarja Klodiana Lala e ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë”, në News24, foli për një nga dosjet më të nxehta të SPAK, për aferën CEZ-DIA.

Ajo u shpreh se Prokuroria e Posaçme po ndjek një strategji të re, duke hetuar edhe njerëzit afër kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhit, si dhe po sheh lëvizjet bankare.

Më tej ajo deklaroi se hetimi ndaj Metës është në fazën finale dhe se së shpejti pritet vendimi.

“Kemi dy ish-zyrtarët të CEZ të cilët janë duke u gjykuar. Janë marrë dy dëshmi, një prej tyre është ai i Elvis Matës. Ish-presidenti Meta i ka sulmuar të dy, nëse mund të përdor këtë fjalë duke ngritur dyshime për personalitetin e tyre. Por Prokuroria nuk ndalet te personaliteti, por te kallëzimet, provat. Është një strategji ndryshe që po ndjek Prokuroria. Meta pretendon se s’ka asnjë rol në këtë aferë. Prokuroria po heton dyshimet për ndikim dhe përfitimet, nëse ka marrë. Janë duke u parë lëvizjet bankare dhe janë duke u hetuar. Meta e sheh këtë sulm si politik duke akuzuar kryeministrin Edi Rama.

Në Prokurorinë e Posaçme tashmë janë disa dosje të nxehta, janë shumë çështje njëherazi. Hetimi për Metën është në fazën finale dhe do dalin rezultatet. Brenda një kohe të shkurtër do marret një vendim.”, tha gazetarja Klodiana Lala.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb