Festat janë padyshim momenti i duhur për të dhuruar. Në fund, ky është misioni i tyre. Të dhurojmë një buzëqeshje, dashuri, por mbi të gjitha të dhurojmë për ata të cilët kanë më shumë nevojë. Një event i ri pritet të mbahet në Tiranë, më datë 27 dhjetor, në ambientet e “The Plaza”.

Agnesa Hadërgjonaj është një nga organizatoret e eventit të bamirësisë, që do të ndryshojë jetën për shumë familje në nevojë. Kauza është një: më shumë ndihmë dhe mundësi për familjet në nevojë. Agnesa Hadërgjonaj, Ketrina Jarazi, Elvis Ponari dhe Fatjola Lubonja janë katër personazhet që janë bërë bashkë për të sjellë këtë event kaq special në llojin e vet dhe duket se ia kanë dalë.

Në komunikimin e saj me suplementin “Bluetooth” të Gazeta Shqiptare, Agnesa rrëfen sesi u krijua ky event dhe çfarë do të sjellë. “Misioni ynë ishte të ishim më pranë atyre që realisht kanë nevojë. Ideja e këtij eventi ishte shumë spontan, por mesazhi ishte i fortë dhe i qartë. Kemi marrë përsipër tre fëmijë të sëmurë me tumor. Të tre ata do të dërgohen në Turqi, tek klinikat më të mira për kurim.
Nga ana tjetër kemi përzgjedhur pesë familje në nevojë për t’i ndihmuar me pajisje elektroshtëpiake dhe ushqime për gjashtë muaj. Theksoj që dy prej këtyre familjeve do t’u rikonstruktohet edhe shtëpitë, pasi ishin në gjendje të mjerueshme.
Në fund, por jo më pak e rëndësishme, është edhe mundësimi i artikujve shkollorë për 30 fëmijë të komunitetit rom. Natyrisht që kemi pasur mbështetjen e sponsorëve tanë, ‘Conad’, ‘Pro Travel’, ‘Sigal’, ‘Sagema’, ‘Spitali Amerikan’, ‘Fondi Besa’, ‘Metani Group’, ‘Ami Event’, ‘Vier Creative Albania’, ‘Vila Alehandro’, ‘Agna Group, E& B Consultancy’, ‘Chelsea Indipendent College’, “Brooke House College England”, ‘Les Roches’, ‘Cartolandia’, ‘Porcelanosa’, ‘Abisnet’, ‘Peugeout’, ‘Teoraena’, ‘Teuta sh.p.k’”, “IDF Sports”, është shprehur organizatorja e eventit.

E kur bëhet fjalë për një event bamirësie, artistët nuk kanë si mungojnë. Më 27 dhjetor Ermal Mamaqi, Olen Çezari, Albërie Hadërgjonaj, Beatrix Ramosaj, Alban Ramosaj, Kejsi Tola do të mbështesin këtë eveniment të rëndësishëm.

Ndodh rrallë që moshat e reja të shpenzojnë energji në evente bamirësie, ndaj një nismë e tillë nuk ka kaluar pa vëmendje. Vetë Agnesa shprehet se kjo kauzë i ka bashkuar të katërt më të sigurt se kurrë, me shpresën se shumë bashkëmoshatarë të tyre do t’i bashkëngjiten në misionin për të qenë më solidarë, sidomos në prag festash.

Duket se filozofinë e bamirësisë Agnesa e ka të skalitur më shumë sesa thjesht në memorie. Mesazhin drejtuar rinisë shqiptare, ajo e sjell nëpërmjet shprehjes së Nënë Terezës, inspirueses së saj. “Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe”, përfundon Agnesa Hadërgjonaj.

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb