Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi mori pjesë në ceremoninë e betimit të studentëve të vitit të parë që po ndjekin ciklin e parë të studimeve në degët Shkenca Ushtarake, Navigim Detar dhe Teknologji Informacioni në fushën e mbrojtjes, si dhe me kursantët e kursit të përgatitjes së oficerit të ri.

Në fjalën para kadetëve, ministri Peleshi shprehu vlerësimin për sakrificën, përkushtimin dhe disiplinën që këta të rinj demonstruan për afro 10 javë.

Ministri i Mbrojtjes i vlerësoi kadetët dhe studentët si oficerët e së ardhmes që meritojnë të jenë anëtarë të denjë të Forcave të Armatosura.

“Ju keni dëshmuar çdo ditë e më shumë prezencën e ushtrisë tonë në çdo aspekt të jetës në komunitet, kudo dhe për këdo që ka nevojë për mbështetjen tonë. Projekti juaj personal, sot, integrohet në projektin tonë të madh për të rritur, zhvilluar dhe fuqizuar çdo ushtarak që ka zgjedhur të mbrojë dhe përfaqësojë shqiptarët me dinjitet. Sot përfundoni një kurs dhe nisni një shkollë që do t’ju ofrojë mundësi dijesh dhe zgjedhjesh. Që sot, do keni mundësi të trajnoheni dhe stërviteni me kolegë të Aleancës dhe, nesër, të shkëmbeni eksperiencë në vende të ndryshme të botës”, u shpreh ministri Peleshi.

Gjatë fjalës së tij, Peleshi evidentoi punën që po bëhet për përafrimin e modelit të Akademisë së Mbrojtjes me modelet më të mira, si ajo e West Point në SHBA për ta futur edukimin ushtarak të Shqipërisë në një fazë të re.

“Duke filluar nga viti që vjen ne kalojmë në programin bachelor 4 vjeçar, i cili është sipas modelit kurrikulave të Akademisë amerikane të West Point-it. Kemi çelur vitin e kaluar një institucion tjetër të rëndësishëm, të ri në fushën e edukimit ushtarak, Kolegjin e Mbrojtjes, i cili ka marrë jetë dhe është duke u formuar dhe duke u forcuar si një institucion që i kalon edhe kufijtë e vendit, pasi kurset në këtë kolegj do të jenë në anglisht, në një gjuhë ndërkombëtare për ta bërë këtë kolegj të vlefshëm jo vetëm për ushtarakë të Republikës së Shqipërisë, por edhe më gjerë në rajon dhe në të gjithë hapësirën e NATO-s”, theksoi ministri i Mbrojtjes.

Gjithashtu Peleshi vuri në dukje faktin se ka filluar puna për ndërtimin e Kampusit të ri të FA-së, që do të jetë një kampus modern, në funksion të një edukimi më të mirë ushtarak.

Duke uruar të rinjtë që nisin një fazë të re të edukimit të tyre, ministri Peleshi tha se “ata kanë garancitë e duhura për një karrierë të sigurt”.

“Një gjë është e sigurt, asgjë më shumë nuk do t’ju japë nder, siguri dhe dinjitet, sesa uniforma e ushtarakut, uniformë e cila, sot qëndron denjësisht përkrah aleatëve në NATO”, u shpreh ministri Peleshi.

Të pranishëm në ceremoni ishin edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA Gjeneral Brigade Arben Kingji, Komandanti i Akademisë së Forcave të Armatosura Gjeneral Brigade Bilbil Bitri, komandantë të forcave dhe familjarë të studentëve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb