TIRANË

Deputeti i PD Agron Shehaj deklaroi se në dy vitet e fundit Thesari i Shtetit ka paguar 30 mln dollarë për tendera sekretë, pjesë dërrmuese e të cilëve janë zhvilluar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.

Sipas tij, këta tendera janë fituar nga një grusht kompanish të lidhur ngushtë me pushtetarë të lartë, teksa thotë se 7 mln euro nga tendera sekretë janë marrë nga kompania e themeluar nga Ilir Beqaj dhe një tjetër po e lidhur me pushtetarët.

Shehaj thekson se të vetmet gjëra që AKSHI mban sekrete në mënyrë rigoroze janë tenderat, ku abuzohet me paranë publike, ndërsa mesazhi për prokurorinë nga dalja Rama-Karçanaj është i qartë: Mos hetoni!

POSTIMI I PLOTË

Në dy vitet e fundit, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, thesari i shtetit ka paguar 30 milionë dollarë për tendera sekretë.

Pjesa dërrmuese e tyre janë tendera të zhvilluar nga AKSHI, pa garë dhe pa transparence, dhe përfituesit më të mëdhenj të këtyre parave janë një grusht kompanish të lidhura ngushtë me pushtetarë të lartë dhe familjarë të tyre.

Dy nga kompanitë që kanë marrë 7 milionë euro nga tenderat sekretë të AKSHI-t janë FASTECH-u i famshëm i themeluar nga Ilir Beqaj dhe Advanced Business Solutions, një kompani me lidhje te ngushta me pushtetarët.

Pra kompanitë e miqve të qeverisë dhe ish-ministrave marrin miliona dollarë nga buxheti i shtetit në tenderat sekretë të AKSHI-t, dhe argumenti se si AKSHI justifikon këto tendera sekretë është ai i sigurisë së të dhënave.

Sot të gjitha të dhënat sensitive të qytetarëve dhe biznesit, pagat e tyre, numrat personalë, etj, kanë dalë në pazar.

Të vetmet gjëra që AKSHI mban sekrete në mënyrë rigoroze janë tenderat, ku abuzohet me paranë publike. AKSHI është institucioni shtetëror i ngarkuar nga ligji për menaxhimin dhe sigurinë e gjithë infrastrukturës shtetërore të IT-së.

Sot drejtoresha e AKSHI-t dhe i gjithë stafi i saj përgjegjës për sigurinë e të dhënave duhet të ishin persona nën hetim dhe do duhej t’u ndalohej hyrja në zyrë për të shmangur prishjen e provave.

Në vend të kësaj, pas pak drejtoresha e AKSH-it do të dalë para mediave bashkë me kryeministrin për të mbrojtur tenderat sekretë që u jep kompanive të pushtetarëve dhe familjarëve të tyre. Dhe mesazhi për prokurorinë nga kjo dalje është e qartë. Mos hetoni. Se pas AKSHI-t është qeveria. Pas tenderave korruptive të AKSHI-t janë qeveritarët.

Agron Shehaj Fb
Agron Shehaj Fb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb