VLORE- Familjarët e 17-vjeçarit Kristi Panajoti, që humbi jetën pasi makina tip “BMV-X6” që drejtohej nga kushëriri i tij i parë ra në një gropë të hapur në mes të rrugës në aksin Skelë-Uji i Ftohtë, shprehen të revoltuar për deklaratën e policisë së Vlorës, në të cilën theksohej se mjeti doli nga rruga dhe ra në një gropë.

Familjarët thonë për News 24 dhe BalkanWeb se djali i tyre dhe kushëriri i tij ishin duke ecur në rrugë të drejtë, ndërsa gropa ishte hapur në mes të saj. Duke shtuar errësirën dhe mungesën e sinjalistikës që të tregonte hapjen e një grope, familjarët akuzojnë firmën ndërtuese, por edhe policinë për deklaratën. Ata thonë se do t’i shkojnë deri në fund kësaj historie, ndërsa do ngrejnë padi ndaj firmës.

Kujtojmë se Kristi Panajoti ishte djali i biznesmenit të njohur në fushën e Transportit, Renato Panajoti. Aksidenti ku ai humbi jetën ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:50, në lagjen “Ujë i ftohtë”, kur automjeti tip “BMV-X6” me targë AA 010 AU, ra në në një gropë. Dy të rinjve iu dha ndihma mjekësore, por me të shkuar në spital, pasagjeri Kristi Panajoti humbi jetën.

NJOFTIMI I POLICISË:

Rreth orës 23:50, në lagjen “Ujë i ftohtë” ka ndodhur një aksident rrugor me pasojë vdekjen e një personi.

Policia pasi ka shkuar në vendngjarje ka konstatuar se në aksin Ujë i ftohtë – Skelë, automjeti tip “BMV-X6” me targë AA 010 AU, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në një kanal.

Për pasojë kanë marrë dëmtime të rënda drejtuesi i mjetit, shtetasi P.B., 21 vjeç, banues në Vlorë, bashkë me një pasagjer, të cilët u dërguan menjëherë në Spitalin e Vlorës, por rreth orës 00:05, Spitali ka konfirmuar humbjen e jetës së pasagjerit.

Policia ka identifikuar viktimën me gjeneralitetet K.P., 17 vjeç, banues në Vlorë.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje duke kryer veprimet e mëtejshme hetimore për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb