Gazetari Shkëlezn Henkoja, sjell për “BalkanWeb”, dëshminë e shefit të urgjencës së spitalit të Gramshit, Emanuel Rrengos.

Ai ka treguar detaje nga dalja e minibusit nga rruga dhe rënia e saj në një përrua. Ai ka thënë se pasi kanë mësuar lajmin, mjekët u angazhuan dhe kanë shkuar menjëherë për në vendin e ngjarjes.

Rrengo, thotë se zona ishte e thepisur dhe puna e mjekëve nuk ka qenë aspak e lehtë. Fillimisht thotë ai, mjekët janë drejtuar për te personi që mbeti i vdekur, 30-vjeçari Ledian Lami.

Ai thotë më tej, se në mendje i ka mbetur një çift, burrë e grua, të cilët ishin të lidhur pranë njëri-tjetrit në gjendje të rëndë shëndetësore. Gruaja sipas tij ishte në gjendje më të rëndë dhe është transportuar me helikopter për në Tiranë.

“Ishte goxha e vështirë. Kjo ka qenë urgjenca ime e parë më e madhe. Falenderoj stafin për gatishmërinë. Menjëherë sapo kemi marrë lajmin, kemi bërë njoftimet, të gjithë stafit të urgjencës, edhe kanë qenë në gatishmëri të gjithë mjekët. Dua të falnederoj personelin, që me mjete rrethanore u përgjigj të jepte ndihmën e parë. Personeli ka hasur viktimën e parë dhe pas tij, rastet e tjera, 3 apo 4 kanë qenë rëndë, i kanë ngjitur në krahë, sepse ishte zonë e thepisur.

Ndihma e parë është dhënë në vend. Rasti i parë që erdhi, erdhi nga një makinë personale. Nga autoambulancat tona është dhënë ndihma në vend. Në ndihmë na kanë ardhur edhe urgjenca nga Cërriku dhe Elbasani. Dy persona u gjetën rëndë, burë dhe grua, u gjetën në të njëjtën vend. Të dy ishin në gjendje të rëndë. Në spital ishte i gjithë stafi, edhe stafi i kirurgjisë. Në spital u dha ndihma mjekësore për rastet, me aq sa kemi mundësi”, tha Rrengo.

Kujtojmë se aksidenti u regjistrua mesditën e sotme në aksin rrugor Gramsh-Kërpicë.

Dyshohet se shoferi i minibusit, ka qenë duke përdorur telefonin në momentin që ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në një përrua në anë të rrugës. Si pasojë një 30-vjeçarë ka ndërruar jetë dhe 9 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb