Kryetari i Parlamentit, Gramoz Ruçi ka përcjellë një letër solidariteti homologut Marçel Çolaku për aksidentin tragjik në spitalin COVID në Rumani ku vdiqën 10 pacientë të infektuar dhe u lënduan disa mjekë e infermierë.

Ruçi i shpreh ngushëllimet familjeve të viktimave teksa uron shërim të shpejtë për pacientët, mjekët e infermierët e dëmtuar.

Ai shpreh bindjen se si Shqipëria, Rumania dhe popujt e vendeve të tjera do t’i përballojnë pasojat e pandemisë dhe do u kthehen sa më shpejt normalitetit.

 

NJOFTIMI NGA KUVENDI

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, i ka dërguar një mesazh solidariteti Kryetarit të Parlamentit të Rumanisë, z. Marçel Çolaku, pas tragjedisë së shkaktuar nga shpërthimi i zjarrit në spitalin Covid në qytetin Piatra Neamc të Rumanisë, ku humbën jetën disa paciente dhe u lënduan mjekë e infermierë.

“Me dëshpërim mora lajmin mbi aksidentin e shpërthimit të zjarrit në spitalin Covid në qytetin Piatra Neamc, si pasojë e të cilit humbën jetën dhjetë paciente dhe u lënduan disa mjekë e infermierë.

Në emër të Kuvendit të Shqipërisë si edhe në emrin tim personal, Ju dërgojmë ngushëllimet tona të ndjera për familjet e viktimave si edhe mbështetjen e solidaritetin tonë për popullin mik rumun.

Duke u lutur për shërimin sa më të shpejtë të pacientëve, mjekëve dhe infermierëve të dëmtuar, shprehim besimin se populli rumun do ta përballojë këtë fatkeqësi si edhe pasojat e tjera të shkaktuara nga pandemia.

Shpreh gjithashtu bindjen se populli shqiptar, populli rumun si edhe të gjithë popujt e planetit do t’i përballojnë me forcë e kurajo pasojat e pandemisë së Covid-19 dhe do t’u kthehen sa më shpejt normalitetit dhe gëzimeve të jetës, punës, zhvillimit dhe mirëqenies.”, shkuaruan në mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb