VLORË- Gazetari Enrik Mehmeti ka dhënë detaje të tjera për News24 dhe BalkanWeb për rastin shokues ku oficeri i policisë gjyqësore Myslym Ismailaj kërcënoi shoferin e plagosur nga asidenti në Ujë të Ftohtë, Petraq Beja të deklaronte se kishte probleme me shikimin.

Mehmeti tha se ka qenë babai i viktimës, biznesmeni Renato Panajoti që i ka dërguar mesazh në telefon Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri duke i treguar për ngjarjen.

“Babai i viktimës i ka dërguar një sms ministrit të brendshëm Saimir Tahiri ku i ka treguar se oficeri gjyqësor Ismailaj kishte shkuar tek 21-vjeçari Beja duke i bërë presion që të thoshte se kishte probleme me shikimin. Kjo, pasi i plagosuri ka një veçori, i ka sytë me ngjyrë të ndryshme por nuk ka lidhje me shikimin, pasi nuk ka probleme. I plagosur i ka treguar babait të viktimës se çfarë i kishte thënë komisari Ismailaj. Menjëherë sapo i ka nisur sms Tahirit, ka nisur hetimi dhe sot në mëngjes është arrestuar në zyrë oficeri i policisë gjyqësore Myslym Ismailaj”, tha Mehmeti.

Sipas tij, kanë qenë familjarët e 21-vjeçarit Petraq Beja që kanë treguar se Ismailaj ka hyrë në dhomë dhe iu ka kërkuar atyre të dalin jashtë dhe të fliste me të plagosurin. Ismailaj akuzohet për shpërdorim detyre, veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës dhe ushtrim i ndikimit të paligjshëm.

Ngjarja ka marrë një vëmendje të madhe gjatë këtyre ditëve, pas deklaratave të familajrëve të viktimës dhe pamjeve dramatike kur ata kthyen makinën e mortit në vendin e aksidentit. Makina tip BMË me të cilën udhëtonin Petraq Beja si shofer dhe Kristi Panajoti, pasagjer ra mesnatën e 26 nëntorit në një gropë gjigande në aksin Vlorë-Ujë i Ftohtë, ku 18-vjeçari Panajoti gjeti vdekjen.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb