Nga: ERMELINDA HOXHAJ*
TIRANE – Rreth 10 mijë familje që përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike në 24 njësitë administrative të Tiranës dhe janë të aftë për punë do t’i bashkohen aksionit të pastrimit në datën 4 shtator. Kjo gjë u bë e ditur ditën e djeshme nga numri një i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Gjatë takimit me 24 administratorët, Veliaj theksoi ndër të tjera se shumë shpejt do t’i propozojë Këshillit Bashkiak që ndihma ekonomike për personat që janë të mundur fizikisht për punë, të jepet duke marrë parasysh pjesëmarrjen e tyre në punët në komunitet. Po ashtu, për sa i përket aksionit të së premtes, ai ka ftuar qytetarët e Tiranës, shoqërinë civile dhe firmat e pastrimit që të bëhen pjesë e pastrimit të kryeqytetit. Ndër të tjera, kreu i bashkisë ka theksuar se pas këtij aksioni do nisë anketimi me qytetarët për punën që bëjnë firmat e pastrimit, duke paralajmëruar se ato firma që do të vlerësohen me notë nën mesatare nuk do të aplikojnë më në bashki për të lidhur kontratën.
Puna në komunitet
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ditën e djeshme zhvilloi një takim me 24 administratorët e njësive administrative të Tiranës, ku veç të tjerave, ka bërë të ditur se aksionit do t’i bashkohen edhe personat që trajtohen me ndihmë ekonomike. Sipas tij, pjesëmarrja e tyre është një formë detyrimi që këta persona kanë ndaj qytetit, pasi përfitojnë ndihmë ekonomike gjatë gjithë vitit. “Të gjithë njerëzit që marrin ndihmë ekonomike dhe që fizikisht i kanë mundësitë për të punuar, duhet të jenë patjetër pjesë e aksionit të pastrimit. Do të mbani një listë-prezencë për të gjithë ata që paraqiten në aksion”, – iu drejtua administratorëve kryebashkiaku Veliaj. Madje, ai bëri të ditur se shumë shpejt do t’i propozojë Këshillit Bashkiak që ndihma ekonomike për personat që janë të mundur fizikisht për punë, të jepet duke marrë parasysh pjesëmarrjen e tyre në punët në komunitet.
Aksioni i pastrimit
Kryebashkiaku ka njoftuar se administratorët e njësive do të drejtojnë shtabet e pastrimit në zonat e tyre, si dhe u ka kërkuar atyre që të angazhohen këto dy ditë për të organizuar çdo banor që të marrë pjesë në aksionin e pastrimit. “Do doja që gjatë 48 orëve që kanë mbetur para aksionit të pastrimit, të ishit aktivë në çdo rrugë, lagje, pallat, në çdo shkallë, të caktonit një përgjegjës, i cili mund të jetë nga administrata juaj ose administrator i pallatit. Kjo është mënyra e vetme se si ne mund të funksionojmë, duke u treguar qytetarëve si e kemi planifikuar punën dhe si i kemi ndarë proceset për atë ditë”, – tha Veliaj. Gjithashtu, ai ka theksuar se vëmendja kryesore duhet të fokusohet tek ambientet dhe objektet publike, si shkolla, kopshtet, çerdhet apo edhe rrugët kryesore. Veliaj tha se pjesë e aksionit të pastrimit do të jenë edhe mjetet e Ushtrisë, të cilat do të angazhohen për të lëvizur mbetjet e inerteve të rënda. “Mund të kërkohet lëvizje inertesh, kamionçina të bashkisë, mjete të rënda që Ushtria do i vërë në dispozicion. Ushtria ka përgatitur një flotë, e cila do na gjendet afër atë ditë”, – tha kryetari i bashkisë. Veliaj vuri në dukje se pas aksionit të pastrimit, ashtu siç ka premtuar edhe më parë, do të nisë një sondazh në të gjitha lagjet e Tiranës, ku qytetarët do të pyeten mbi cilësinë e shërbimit që kanë ofruar kompanitë e pastrimit në lagjen e tyre. “Bashkia është ndërmjetëse dhe do vlerësojë notën që japin qytetarët çdo muaj, për të pasur parasysh rinovimin e kontratave me kompanitë e pastrimit. Çdo kompani që vlerësohet nën mesatare, nuk do mund të aplikojë më në Bashkinë e Tiranës”, – tha ai.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: