Ish-presidenti i vendit, Bamir Topi, i ftuar këtë mbrëmje në “Frontline” me Marsela Karapanço, komentoi shembjen e paligjshme të “Prestige Resort”, i cili u hodh në erë me 70 kg tritol ditën e diel.

Topi tha se ky ishte një akt jashtëzakonisht i rëndë dhe se kjo nuk mund të bëhet në një shtet ligjor, ku së kapu pronarit të biznesit do t’i jepej kohë që të vepronte nga ana ligjore. Ai tha se e ka përjetuar shumë këtë histori, pasi vetë ai ka qenë një vizitor i atij resorti, që e cilëson si një ndër më të mirët, ku mund të gjejë çdo gjë për t’u relaksuar.

“Së pari e kam përjetuar shumë keq historinë e prishjes së Resortit. E kam përjetuar keq sepse në një mënyrë na ka bashkëshoqëruar gjithë këto vite, ndonëse në shumë raste nuk kemi gjetur atë ambientin e dëshiruar se më shumë kishte njerëz të qeverisë që kalonin ditët në atë resort. Kjo është një histori sa ligjore, pasi kishte pritshmëri që gjykata të jepte vendim brenda afatit që parashikon ligji, por e dyta dhe më e rëndësishme, shumë e rëndë kur shikon njerëz që janë dëshmitarë të ndërtimit dhe rritjes së një resorti të tillë…”, tha ai.

Më tej ish-presidenti u shpreh se ky duket qartësisht se është një sulm ndaj grupit mediat mediat që zotëron pronari i ‘Prestige Resort’. Ai shtoi se ky ishte një kalim në ekstrem, që sipas tij tregon shenjë dobësie, duke thënë se do të ketë dëme shumëplanëshe.

“Kjo në një farë mënyrë është shumë komplekse, sepse të gjithë po e lidhin me infrastrukturën që ka grupi “Focus” për të zotëruar median më prominente në Shqipëri, qoftë atë të shkruar, qoftë atë elektronike. Besoj se është akt jashtëzakonisht i rëndë. Është shumë e vështirë të ndërtosh në Shqipëri, por edhe kur e ndërton…

Jam i prirur të besoj atë që thoni ju, por edhe sikur të kishte ndonjë problem të natyrës së zbatimit të ligjit, njeriu jep kohë. Njerëzit e mëdhenj përgjithësisht janë tolerantë, pra japin mundësi që njeriu aty ku ka gabuar të përmirësohet. Siç u tha dhe për ndërtimet në Tiranë, pra pse dy standarde në dy qytete?! Pra këtu duket që ka shumë subjektivizëm. Kurrsesi nuk shkohet në ekstrem. Kalimi në ekstrem është shenjë dobësie.

Unë kam qenë atje. Njeriu shkon në një vend dhe patjetër dhe e gëzon, shkon në një vend që pret të kalojë disa orë për t’u relaksuar, dhe unë e di fare mirë, nuk e kam thjeshtë nga pamjet filmike. Është një dëm shumëplanesh, është dëm fizik, por në memorie lë një dëm të fortë psikologjik, jo vetëm tek pronari, por edhe tek të tjerët.

Politikanët, unë flas për vete, duan t’i largohen sa më shumë asaj situate që ka në parlament, kur duan të relaksohen, pra ikën nga situata e parlamentit shkon atje dhe i sheh të gjitha.

Unë e imagjinoj dhimbjen e zotit Hysenbelliu, unë uroj që ai të ngrihet… njeriu vuan në kapitalizëm së pari për nxjerrjen e sekretit, që s’ka të bëj me këtë rast, dhe e dyta për mungesën e parashikimit. Zoti Hysenbelliu ka treguar ndoshta shumë bujari duke ftuar njerëz që ishin të lidhur me qeverinë. Ai duhej ta kishte parë si një biznes, pasi mesa duket morali i politikës të çon këtu tek kjo që ne po diskutojmë”, u shpreh Topi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb