Teksa vendi ynë është përfshirë nga një valë e gjerë protestash dhe reagimet kanë shpërthyer masivisht kundër një vendimi të beftë të qeverisë për të financuar me 4 mln euro nga fondi rezervë koncertin e këngëtarit Kanye West, ky i fundit duket se ka bërë një gafë. Gafa në fjalë është zbuluar nga aktivisti Gent Progni, i cili ka postuar foton nga llogaria e këngëtarit në rrjete sociale.
Pak para ardhjes së tij në Tiranë, këngëtari bëri një postim ku njoftonte se sot do të ishte në stadiumin ‘Eagle’ në Kashar të Tiranës, por ka ngatërruar shtetin, duke chekuar Turqinë në vend të Shqipërisë.

“Lartmadhnia tha qe do na beje nder koncerti, nderkohe ne profilin zyrtar te Kanye West, shteti ku po shiten biletat dhe do organizohet koncerti nuk shenohet Albania . O RAMEEEE po se di fare ku bie Shqiperia ky 4 milionshi yt”, shkruan Progni në Instagram.
Artisti amerikan mbërriti paraditen e sotme në Tiranë për koncertin që do të mbahet këtë të shtunë.
Për të garantuar mbarëvajtjen e aktivitetit, Policia e Tiranës ka vendosur kufizime të përkohshme në qarkullimin e automjeteve në zonën përreth autostradës Tiranë-Durrës. “Eagle Stadium” është ndërtuar në një sipërfaqe prej rreth 65 mijë metra katrorë, në kilometrin e parë të autostradës Tiranë-Durrës, ndërsa për organizimin e eventit qeveria ka akorduar një fond prej 4 milionë eurosh.
