TIRANË- Lëvizja Socialiste për integrim ka reaguar lidhur me akuzat e Partisë Demokratike për blerje votash. Përmes sekretarit të përgjithshëm, Luan Rama, LSI fton opozitën të dërgojë provat në gjykatë, ndërsa shtoi se lëvizja ku ai bën pjesë do të ndjekë rrugën ligjore. Ndër të tjera Luan Rama theksoi se Partia demokratike është në panik nga rezultati i 21 qershorit.


“Dua që të shpreh dhimbjen e madhe për gjendjen e dëshpëruar e të pashpresë në të cilën gjendet kuzhina e mykur dhe kryekuzhinieri i dështuar i SHQUP-it, të cilët, të përfshirë prej panikut të humbjes së radhës në zgjedhjet e 21 qershorit, kanë sajuar alibinë e shpifjes për gjoja blerje të votuesve! Makina e vjetër propagandistike e stilit stalinist të SHQUP-it, në përpjekje për t’i paraprirë humbjes që do të vijë prej ndëshkimit qytetar, është kaq e çekuilibruar dhe e çoroditur, saqë fyen e poshtëron votuesit dhe mbështetësit e vet, të cilët i konsideron si mall që shiten e blihen, duke dëshmuar në këtë mënyrë, krizën e thellë e të pashërueshme të besimit ndaj SHQUP-it, si kuzhinë e shpifjeve dhe e trillimeve bajate”, ka deklaruar Luan Rama.

Sipas tij, “frika e pamundësisë për t’i shkuar garës deri në fund, mungesa e alternativës reale për qytetarët, kriza e besimit të qytetarëve ndaj SHQUP-it dhe kryekuzhinierit të dështuar që si një dështak që e dinte se do të humbasë i iku ballafaqimit me qytetarët e Tiranës, janë shkaqet reale se përse ata ndodhen në këtë gjendje mjerane e të dëshpëruar”.

“Rritja e mbështetësve dhe e votuesve të LSI-së në të gjithë vendin, forca dhe besimi i qytetarëve që gjejnë tek LSI shprehësen dhe mbrojtësen e interesit të tyre nga njëra anë, dhe, zhgënjimi e distancimi real prej SHQUP-it i shumë qytetarëve, janë parathënie e qartë e verdiktit qytetar të 21 qershorit që si më 23 qershor të vitit 2013, do të dinë të dënojnë me votë, trilluesit dhe fabrikuesit e çorbës bajate të kuzhinës së SHQUP-it”, tha më tej ai.

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, theksoi se LSI është e vendosur të bëjë të gjitha përpjekjet e të japë të gjithë kontributin e nevojshëm, që të realizojë një proces zgjedhor të ndershëm e korrekt, dhe të mos lejojë askënd në SHQUP a kudo tjetër që të kontaminojë e të prishë procesin zgjedhor.

“SHQUP-i dhe kryekuzhinieri i dështuar i tij, të heqë dorë prej alibisë së shpifjeve, dhe nëse ka prova apo fakte, për cilindo përfaqësues, anëtarë a simpatizantë, votues apo mbështetës të LSI-së, le t’i dërgojë ato pranë organeve kompetente të zbatimit të ligjit.

Për të gjitha shpifjet, sajesat dhe trillimet e turpshme, LSI u është drejtuar organeve të zbatimit të ligjit,  të cilat i nxit, i inkurajon dhe i mbështet që të ndëshkojnë me rreptësinë më të madhe cilindo që tenton apo që rezulton të jetë i implikuar në përpjekjet për të manipuluar, vjedhur, blerë apo tjetërsuar votën”, u shpreh Luan Rama.

Në përfundim të deklaratës, ai shton “Kryekuzhinieri dështak të mos ngatërrojë zgjedhjet e lira, të ndershme e korrekte të 21 qershorit, me fushatën e blerjeve që e emëruan atë kryekuzhinier të SHQUP-it. Ndaj në gjendjen e mjeruar në të cilën ndodhet, s’më mbetet tjetër veç t’i kujtoj vargjet e këngës popullore: “O Lulo të hëngërt tënja, se e ke të keqen brenda!”.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: