Diplomati i njohur Bashkim Zeneli, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, duke folur për akuzat e Gjykatës së Hagës ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe ish-luftëtarëve të tjerë të UÇK-së, deklaroi se udhëheqësit e Kosovës gjithmonë janë përballur me akuzat që janë ngritur ndaj tyre.

“Kishte kohë që ish-drejtuesit e UÇK-së kanë qenë përherë nën presion. Është aspak situatë e këndshme. Tashmë u bënë presidentë, kryeministra, kryetarë parlamenti, kanë shkuar në Hagë dhe kanë dalë të pafajshëm e papë thirren të shkojnë në Hagë. Udhëheqësit e Kosovës janë përballur me akuzat, janë ballafaquar e kanë dalë të pafajshëm.

Lufta në Kosovë është heroike kundër gjenocidit serb të Millosheviçit dhe kundër dëbimit masiv, të krimeve e përdhunimeve më të tmerrshme. Nëse në këtë luftë do gjejmë edhe shqiptarët fajtorët, më duket paradoksale e janë në situatë të pazakontë”, tha Zeneli.

Bashkim Zeneli theksoi se në Kosovë i fitua liria, mirëpo duhet që të fitohet tashmë edhe demokracia.

“Kjo që po ndodh, ngjan për shkak të librit të Carla Del Ponte, që hidhte akuza të rënda ndaj UÇK-së. Hidhen akuza në ajër. Edhe prokurori Dick Marty vazhdoi në të njëjtën linjë me Carla Del Ponte, edhe për shtëpi në Burrel që janë bërë trafiqe e ku asgjë nuk është provuar e vazhdojnë të thirren në Hagë. T’i akuzosh liderët politikë të Kosovës është problematike.

Nuk ka vend as për prova për akuzat dhe as për kënaqësi. Shohim se në studio tona përgojohen liderët e Kosovës. Në Kosovë u fitua liria, por jo demokracia. Duhet më shumë përgjegjësi. Nuk është më Europa e parë, ka probleme botërore, ka konflikt edhe mes Azerbajxhanit e Armenisë e ne në këto momente duhet të bëjmë detyrat tona deri në fund. Serbia bën gjithçka që të njollosë UÇK-në”, u shpreh Zeneli.

Më tej, Zeneli vuri në dukje se Kosova ka qenë dhe duhet të jetë europeaniste.

“E ardhmja e Kosovës është vetëm Europa, integrimet euro-atlantike. Kosova duhet të jetë europeniste në çdo drejtim dhe hap që hedh. Kosova duhet të mbajnë raporte të mira edhe me Turqinë, por rruga e vetme është Europa. Fatkeqësisht, ndonjëherë kthehemi në salltanete turke, por kjo gjë nuk duhet të ndodhë”, deklaroi diplomati Zeneli.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb