Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, iu përgjigj opozitës parlamentare mbi akuzat ndaj ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, se ka blerë një automjet me vlerë 150 mijë euro.

Numri dy i PS iu drejtua deputetëve të opozitës, duke iu thënë se para se të drejtojnë gishtin ndaj ministrit, duhet të kërkojnë informacion zyrtar në Parlament.

“Çdo media duhet të ketë të publikuar kush është pronësia, kush janë gazetarët, të cilët shkruajnë me emra fake apo prodhojnë lajme fake. Iu them deputetëve të opozitës se para se të ngrenë gishtin për një lajm që vjen nga një media, nëse duan informacion, të shkruajnë letër, ta dërgojnë sipas procedurës parlamentare dhe të jenë të sigurt që do të marrin përgjigje. Ka marrë fund koha e Saliut dhe Topallit, ku ishte urdhër i kësaj të fundit që deputetëve të opozitës të mos iu kthehet përgjigje. Ndaj, drejtohuni me shkrim dhe merrni përgjigje. Përpara se të ngrini gishtin e akuzës ndaj qeverisë, duhet të shihni arsyet që e kanë çuar rafinerinë e Ballshit në atë situatë dhe kjo ndodhi pas privatizimit nga Sali Berisha. Duhet hapur një hetim për atë çështje, ashtu siç duhet hapur dhe hetimi për masakrën e Gërdecit”, tha Balla.

Më tej, Balla foli dhe për zjarret në vend, duke thënë se shumica janë të qëllimshme, ndërsa kërkoi identifikimin dhe kapjen e autorëve.

“Në shumë raste zjarret janë të qëllimshme. Edhe pse Kuvendi gjatë viteve të fundit me ndryshimet që ka bërë në Kod Penal e ka ashpërsuar nivelin e dënimit kundrejt zjarrvënies të qëllimshme, jemi sërish në situatë tejet të vështirë. Dje kemi pasur një rast në Elbasan, ku zjarri ishte i qëllimshëm. Janë njerëz të papërgjegjshëm, që i vënë këto zjarre. I bashkohem thirrjes së deputetit Roshi, duke i uruar dhe shërimin nga koronavirusi, që duhen identifikuar të gjithë autorët”, u shpreh socialisti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb