Një ditë pas arrestimit, botuesi dhe pedagogu i njohur Henri Çili ka folur për herë të parë, ndërsa ka mohuar kategorikisht akuzat që rëndojnë ndaj tij. Gazetarja Brikena Metaj ka siguruar për ‘BalkanWeb’ dëshminë e Çilit, të dhënë para policisë, ndërsa ndodhet në komisariatin e Gjirokastrës.

Ky i fundit i është nënshtruar seancave pyetësorë në orët e vona të pasdites së djeshme tek oficerët e Policisë Gjyqësore. Në të gjitha dëshmitë që ka dhënë në një orë e gjysëm seancë pyetësore në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë së Gjirokastrës, Henri Çili mësohet të jetë shprehur se s’ka kryer asnjë shkelje për akuzat që i bëhen dhe se gjithçka sipas tij është tërësisht e manipuluar.

Mes të tjerash ai ka thënë se do t’i kundërshtojë në momentin e duhur me prova dhe fakte. Burime nga Prokuroria e Përmetit bëjnë të ditur se Çilit do t’i komunikohet masa e arrestit në orët e mesditës së nesërme në Gjykatën e Faktit në Përmet.

Mbi Çilin rëndojnë disa vepra penale, konkretisht; “Fshehja e të ardhurave”, “ Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimit”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave qe ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi dokumenteve” në bashkëpunim.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb