NGA KLODIANA LALA

TIRANE – Në fund të një procesi që zgjati një vit e tre muaj, prokuroria e Krimeve të Rënda shpalli masën e dënimit me 5 vite burgim për ish-zëvendës drejtorin e përgjithshëm të Burgjeve, Iljas Labi. Ai akuzohet për korrupsion pasiv, por nuk do të shkojë Në asnjë moment prapa hekurave.
Kjo pasi organi i akuzës kërkoi të pezullohet masa e dënimit për të, për shkak të statusit si bashkëpunëtor i drejtësisë, ku rrëfeu për abuzimet me tenderët e ushqimeve në burgje.

Prokuroria kërkoi dënimin me nga 3 vite burgim për biznesmenët, Nexhmi Balla, Shemsi Sinani, Eridjan Laskaj dhe Ylber Kalaja. Për këtë të fundit, masa e dënimit u kërkua të pezullohet.

Në pretencën e Prokurorisë, thuhej se Iljas Labi dhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Artur Zoto, edhe ky nën akuzë për korrupsion, kërkonin dhe merrnin ryshfet për tenderët. “Në marrëveshje me njëri-tjetrin”- theksoi prokuroria, – “njoftonin biznesmenët të konkurronin në tenderë të pashpallur”.

Ndërsa administratorët e firmave konkurruese, bënin marrëveshje paraprake, duke hyrë fiktivisht në garë, në një kohë që fituesi i tenderit ishte paracaktuar.

“Hajde firmos kontratën, merr edhe vulën”, dëgjohet të thotë në një nga bisedat e përgjuara telefonike, i pandehuri Eridjan Laskaj teksa bisedën me Ylber Kalanë.

Por, edhe pse ishin në dijeni të faktit se biznesmenët bënin pakte mes tyre, prokuroria tha se dy ish-drejtuesit e lartë të Burgjeve, krijonin kushte të favorshme për ta, në këmbim të shumave monetare.
Dëshmia e Iljas Labit, në cilësinë e njeriut të penduar, dhe përgjimet telefonike, ishin prova kyçe ku mbështetej Prokuroria, në kërkesën e saj për dënimin e të pandehurve.

Për të njëjtët tenderë të cilat janë firmosur në shkelje të ligjit, ndodhet në burg edhe ish-kreu i Burgjeve Artur Zoto. Ai mohon të ketë marrë para nga ish-vartësi i tij Labi, ndërsa ky i fundit këmbëngul se i dorëzoi 2 milionë eprorit. Procesi ndaj Zotos është në fazën finale dhe pritet që prokuroria të kërkojë për të masën e dënimit.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb