Izraeli njoftoi të dielën se parashikon të mbyllë zyrën e kanalit informativ katariot Al Jazeera, i cili akuzohet nga autoritetet për “nxitje” të dhunës, deklaroi Ministria e Komunikacionit.
Izraeli e akuzon prej vitesh televizionin Al Jazeera për njëanshmëri në pasqyrimin e konfliktit kundër palestinezëve. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi në fund të korrikut se kërkonte ta dëbonte televizionin Al Jazeera i akuzuar për nxitje të tensioneve në afërsi të vendeve të shenjta të Jeruzalemit.
Ministria do të kërkojë në veçanti anulimin e akreditimit të gazetarëve dhe ndërprerjen e lidhjeve kabllore dhe satelitore të kanalit televiziv, thuhet në deklaratën e ministrisë.
Gjithashtu, ministri i Sigurisë së Brendshme do të fillojë një procedurë për mbylljen e zyrave të televizionit.
Autoritetet izraelite do të përpiqen të kufizojnë kapacitetet transmetuese të televizionit me lidhje satelitore “të hapura që i mundësojnë shumicës së komunitetit arab izraelit të shohë televizionin Al Jazeera”, shtoi Ministria e Komunikacionit pa dhënë detaje të tjera./ata/
(BalkanWeb)