Shkrimtari i njohur nga Kosova, Albatros Rexhaj ishte i ftuari i dytë në programin “Dola te Ola” mbrëmjen e kësaj të diele. Albatrosi kishte shenjat e buzëkuqit nga një puthje gruaje në faqe, që preferoi të mos i heqë gjatë gjithë programit, pa zbuluar se kush ia kishte dhuruar. Ai theksoi se gjërat më të bukura bëhen në privatësi.

Albatrosi foli për vështirësitë me të cilat artistët përballen, duke i cilësuar si një luftë me veten, por shtoi se ai e ka gjetur balancën. “Sa më shumë t’i bëhesh i vetëdijshëm aq më shumë kupton pafuqinë tënde”, tha ai. Poeti tha se qetësinë e gjen te kërcimi, leximi dhe te shkrimi.

E teksa gjatë bisedës ai rrëfente për luftën e Kosovës, ai zbuloi se është përpjekur që kujtimet e asaj kohe t’i hedhë në libër por nuk ka mundur deri tani, gjë që ndoshta në një të ardhme mund të ndodhë.

Ndërkohë që shumë artistë frymëzimin për të shkruar e gjejnë në qetësi, me Albatrosin nuk ndodh kështu, atij i pëlqen të shkruajë në zhurmën e lokaleve. Para pandemisë ai ka shkruar në shumë lokale të Prishtinës, por edhe në Tiranë.

Albatrosi ka një emër të veçantë dhe të bukur, të cilin ia ka vendosur babai dhe sikurse shkrimtari tha e ka patur amanet. “Ka një histori mistike”, tregoi ai. Babai i tij ka jetuar në Francë dhe dikush i kishte thënë që historia fatit të keq për emrin Albatros nuk qëndron, jo secili njeri mund të jetë albatros.
Shkrimtari e krahason jetën e vet më atë të shpendit albatros dhe shtoi se gjithë ideja është që të fluturosh.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb