“Në një kohë kur Aciacioni Civil në të gjithë botën, po kalon një periudhë shumë të vështirë për shkak të masave parandaluese kundër COVID-19, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vlerëson dhe nxit bashkëpunimin e ngushtë midis autoriteteve të Aviacionit Civil të Shqipërisë dhe Kosovës”, kështu deklaron Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Sipas saj, në kuadër të këtij bashkëpunimi, Albcontrol dhe Agjencia e Shërbimeve të Navigimit Ajror e Kosovës, kanë nënshkruar sot në Prishtinë, një Marrëveshje për koordinimin e trafikut ajror midis Tiranës dhe Prishtinës. Marrëveshja është lidhur në kuadër të projektit “Mbledhja për Normalizimin e Aviacionit të Ballkanit” (BANM), të udhëhequr nga NATO.

“Ky është një hap i rëndësishëm për normalizimin e hapësirës ajrore të Kosovës, pasi korridori i ri ajror do të shkurtojë me rreth 15 minuta fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’ dhe si rrjedhojë do të rrisë përfitimet e udhëtarëve, do të ulë kostot operacionale të kompanive ajrore dhe emitimet e karbonit drejt një aviacioni më të gjelbërt”, deklaron MIE.

Shqipëria, si vend i rajonit dhe anëtar i NATO-s ka dhënë kontributin e saj të vazhdueshëm në kuadër të projektit NATO BANM në normalizimin e hapësirës ajrore të Ballkanit, me theks të veçantë – hapësirës ajrore të Kosovës.

“Nënshkrimi i Marrëveshjes midis Albcontrol dhe ASHNA do të pasohet me hapjen e korridorit ajror midis Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo Marrëveshje është negociuar nga grupet tona të ekspertëve në koordinim të ngushtë me NATO-n dhe me përkrahjen pa rezervë të Qeverisë Shqiptare”, thekson MIE.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb