Nga: FATMIRA NIKOLLI*SARANDE-Një projekt për Manastirin e 40 Shenjtorëve në Sarandë, ka ngjallur pakënaqësi në mesin e specialistëve të trashëgimisë kulturore. Pak ditë më parë, deputeti i shumicës, Koço Kokëdhima shkruante në faqen e tij në rrjetin social në “Facebook”, se “së bashku me një grup partnerësh italianë dhe me Bashkinë e Sarandës nënshkruam, në parim, marrëveshjen për themelimin në javët e ardhshme të fondacionit ’40 Shenjtorët’. Qëllimi i këtij fondacioni do të jetë projektimi, rindërtimi dhe komercializimi i Manastirit të 40 Shenjtorëve në Sarandë”.
Kokëdhima, shton (duke e shoqëruar me foto) se në mënyrë simbolike, ky moment u konkretizua me vendosjen e gurit të parë nga Stefan Çipa, kryetari aktual i Bashkisë Sarandë, dhe Vincenzo Ingrosso, një njohës, studiues dhe adhurues i historisë dhe kulturës sonë të lashtë dhe një nga partnerët kryesorë italianë në këtë sipërmarrje. “Rindërtimi i manastirit, sigurisht që do të marrë kohë”, e mbyll postimin e tij, deputeti i PS-së.
Manastiri i 40 Shenjtorëve është një ndër monumentet më të mëdha në botën mesdhetare dhe nga njohësit është cilësuar si një rast unikal.
Reagimet
Reagimet e specialistëve të trashëgimisë kulturore, kanë qenë po në rrjetin social “Facebook”. Arkitektja e restauratorja, Lida Miraj shkruante: “Rindërtimi?! Nuk lejohet të rindërtohet një monument i tillë. Ideja e rindërtimit është në kundërshtim të plotë me të gjitha konventat ndërkombëtare. Eksperiencat shumë negative të ndërhyrjeve pa princip në Kalanë e Lëkursit, Kalanë e Petrelës apo ideja a vendimi totalisht i gabuar i vitit 2011-2012 për dhënien me koncesion të Kalasë së Lezhës, nuk duhen menduar e aq më pak të realizohen më”. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe qëndrimi i profesor Aleksandër Meksit, njohësi më i mirë i kishave monument kulture në Shqipëri.
Sa i takon prezantimit të idesë për një projekt “rindërtimi e komercializimi” për Manastirin e 40 Shenjtorëve Meksi shkruan: “Dhe vetë vendosja e një guri, si ndërtim pa leje është veprim i gabuar. Si mund të lejohen të dhunojnë, në kundërshtim me çdo ligj e kriter të zyrtarizuar shkencor, monumente tejet të rëndësishme? Sa për lidhjen me Lëkursin, do të thotë që me rikthimin e po të njëjtëve dëmtues të monumenteve, ato janë në rrezik”. Më tej, autori i studimit “Arkitektura e kishave të Shqipërisë shek.VII-XV” (Tiranë 2004), sqaron se “vepra e artit dhe dokumenti historik, nuk ribëhen dot dhe nëse tentohet, është një falsifikim. Zakonisht kjo mendësi ndodh në diktaturat dhe nga ata që duan të duken apo të vjedhin”.
Në fund, Meksi sqaron për të gjithë: “Restaurim nuk do të thotë rindërtim, aq më tepër hipotetik, e aq me tepër një vepër që shquhet, po përsëris do tallen me ne dhe do e quajnë zero si dëshmi. Me gjeni raste në Romë, Egjipt, Greqi apo gjetkë, që rrënojat të rindërtohen. Mjaft me dëshira çoroditëse, që janë pa dashjen tuaj në dobi të dëmtimit të monumenteve”.
“Së pari, nëse muret janë të vona, këtë e thua ti, pse duhet të rindërtohen e në çfarë forme.
Rrënojat nuk rindërtohen doni, keni para, bëni një kishë të re që dhe ajo do ishte mirë të kishte vulën e kohës tonë, por lërini rrënojat të dëshmojnë dokumentin që duhet të respektohet. Po të vazhdojmë kështu duhet të ngrejmë në këmbë Butrintin e Apoloninë e çdo rrënojë tjetër. Nëse dikush do të kontribuojë t’ia japë paratë IMK apo kishës për restaurime….
Muret e saj kanë qenë tërësisht në këmbë deri kur u hodhën në erë me dinamit, që të mos shërbenin si pikë referimi gjatë incidentit të Korfuzit…” – sqaron prof. Meksi. Jo pa ironi, paralajmëron: “Më e bukura është që po vazhduam të pseudorestaurojmë, nuk do vijë as dhe një turist.
Kishte më respekt për monumentet dhe specialistët në kohën e komunizmit të parë…”
Vlerat e manastirit
Vlerat e Manastirit të 40 Shenjtorëve janë të mëdha. “Kjo qendër kulti e pelegrinazhi, është një nga më unikalet në gjirin e Mesdheut dhe një ndër monumentet më të mëdha në botën mesdhetare. Kisha e madhe dhe pjesa e saj 5 metra nën tokë ruan gjurmë të shërbesave për kultin e pelegrinëve. Në këtë manastir gjenden një shumicë pagëzimoresh. Prania e këtyre vatrave të pagëzimit brenda një vendi përbën një rast unikal në Mesdhe dhe tregon se manastiri, sipas të gjitha gjasave, i kishte këto pagëzimore për t’u ardhur në ndihmë pelegrinëve që vinin një ditë të caktuar, më 9 mars që është dita e 40 shenjtorëve, apo edhe në data të tjera. Aty është zbuluar edhe banja termike, furra që përgatiste ujin e ngrohtë për ata që do të pagëzoheshin”, – ka thënë arkeologu Skënder Muçaj. Sipas tij, në dhomat e manastirit janë zbuluar më parë edhe disa piktura murale. Një nga këto afreske i përket një dishepulli dhe konsiderohet ndër më të vjetrat e Bizantit.
(a.n/GSH/BalkanWeb)
