Sot është hequr emri i Aleksandrit të Madh i cili dhjetë vite qëndronte mbi objektin e aeroportit të Shkupit. Shërbimet me shumë kujdes një nga një i larguan shkronjat e emrit nga terminali. Për momentin nuk dihet kur do të vendoset emri i ti “Aeroporti ndërkombëtarë Shkup”. Nga koncesioneri turk TAV thonë se ata veprojnë sipas instruksioneve që i marrin nga Qeveria.

Jozyrtarisht burime nga TAV – Maqedoni thonë se përveç emrit, nga hapësirat e aeroportit në të ardhmen do të hiqet edhe përmendorja e Aleksandrit të Madh, ndërsa do të ndryshohet edhe faqja e internetit të aeroportit. Për momentin nuk tregojnë se kur do të realizohen këto ndryshime. Ata nuk kanë informata edhe për atë se kur do të vendoset emri i ri në vend të emrit të vjetër. Për ndryshimin e emrit sot i pyetëm se çfarë mendojnë disa nga pasagjerët që i takuam në aeroport.

“Mendoj se mirë është që nga ana jonë shtrijmë dorën dhe themi se jemi të gatshëm të zgjidhet dhe tejkalohet problemi. Tani gjithsesi, politikanët janë ata që mes tyre duhet t’i zgjidhin dhe tejkalojnë problemet”.

“Ndoshta do duhej të quhej “Greqia” që t’u hakmerremi grekëve për Selanikun sepse aeroporti i atjeshëm quhet Maqedonia. Por ne do ngelemi maqedonas”.

“Jo vetëm ky, por duhet të ndërmerren edhe hapa tjerë dhe njëherë e përgjithmonë të zgjidhet problemi. Ne më të moshuarit e kaluam jetën, por për të rinjtë duhet të ketë jetë”.

Gjatë ditëve të kaluara u larguan edhe tabelat përgjatë “Korridorit 10”. Drejtori i ndërmarrjes publike për rrugë shtetërore, Zoran Kitanov thotë se tashmë po bëhen gati tabelat e reja ku emri i Aleksandrit të Madh do të zëvendësohet me “Miqësia”. Ndryshe, ndryshimi i emrave të aeroportit dhe autostradës është shenjë e vullnetit të mirë nga Qeveria e Shkupit për përmirësimin e marrëdhënieve me Greqinë fqinje gjatë bisedimeve për zgjidhjen eventuale të çështjes së emrit. Mes mysafirëve të parë të lartë të cilët do të aterojnë në aeroportin e riemëruar do të jetë ministri i jashtëm grek, Nikos Kocijas, njofton Alsat M.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb