Drejtuesi i fushatës elektorale të PD, Alfred Rushaj ka zhvilluar një takim me të rinj dhe të reja në njësinë nr.8 të Tiranës që votojnë për herë të parë.

Rushaj i ka këshilluar të rinjtë që të krahasojnë ofertat politike që kanë shpalur palët në fushatë, teksa thekson se është PD ajo që ka propozuar deri më tani, kurse pala tjetër është marrë me opozitën.

Ai gjithashtu thotë se të rinjtë janë në qendër të programit të PD dhe se janë objektiva të qarta, mes tyre dhe masivizimi i sportit si dhe përmirësimin e cilësisë së tij në Shqipëri.

 

BASHKËBISEDIMI MES ALFRED RUSHAJT DHE QYTETARËVE
ALFRED RUSHAJ: Ajo çfarë të them është që të krahasosh ofertat politike që kanë dy partitë politike. Çfarë ka propozuar pala tjetër?! Deri tani vetëm është marrë me këto që kemi propozuar ne! Ata kanë në dispozicion një administratë, kanë ministri që teorikisht merret me rininë dhe i keni dëgjuar që të vetmin propozim që kanë është që merren me ne!”, theksoi Rushaj.

QYTETARJA: Kohët e fundit po mendoj që të vazhdoj një kurs gjermanishteje. Pse duhet të rrimë këtu dhe të mos ikim jashtë?

ALFRED RUSHAJ: Ne do ta fillojmë me gjëra konkrete që janë të prekshme që vitin e parë. Familjet që kanë më pak se sa 640 mijë lekë të ardhura në muaj t’iu subvencionojmë tarifat e studimit për shkollën e lartë. Do të paguajmë 10 mijë bursa në vit për praktikë mbasi mbaron universitetin. Të gjithë të rinjtë që duan të sigurojnë strehimin se gjëja kryesore ju mbasi mbaroni shkollën do doni që të jetoni vetëm. Apo jo?! E keni të pamundur që të merrni kredi se sapo keni mbaruar shkollën, nuk keni garanci për bankat. Por edhe nëqoftëse keni garanci për bankat kosto është shumë e lartë për të marrë një kredi. Atëherë ne kemi premtuar dhe kemi vendosur në program që do të paguajmë interesat e kredisë për strehimin e të rinjve.”

QYTETARI: Nuk kemi shumë vende ose janë disa vende dhe janë të mbingarkuara ose shumë të vogla. Për mua ky është një problem që duhet parë.”, sugjeroi i riu.

ALFRED RUSHAJ: Kam luajtur vetë sport i ri, kam mbi 15 vjet, 20 vjet dhe sot e kësaj dite miqtë e mi më të mirë janë ata me të cilët unë kam luajtur sport. Dhe është diçka e çuditshme sepse nuk janë vetëm shokët e ekipit, pra ne jemi një kategori miqsh që jemi rritur bashkë pra, që 14 vjeç, kemi luajtur bashkë, dikush me Partizanin, dikush me Tiranën, dikush me Dinamon. Kemi luajtur dhe e kemi vazhduar, kemi qenë miq që atëherë, pavarësisht me kë luanim dhe e kemi vazhduar edhe sot e kësaj dite miqësinë”, rrëfeu Rushaj detaje nga jeta e tij profesionale në sport.

ALFRED RUSHAJ: Kur ti e merr këtë taksë, pse mos të ndërtosh ambiente sportive, Pse mos të ndërtosh në çdo lagje ambiente sportive?!Shikoni Kosovën, shikoni Maqedoninë, shikoni Kroacinë! Çdo lagje ka disa ambiente sportive.
Sporti në përgjithësi, masivizimi i sportit dhe kur them për sportin nuk e kam fjalën vetëm për profesionistët, ekipet profesioniste. Për mua sporti është sporti që merren të rinjtë, sporti amator, ai është sporti sepse ai është masivizimi. Kjo pastaj mund të çojë edhe te përmirësimi i cilësisë sportive por e rëndësishme është që ti që ke qejf, shokët dhe shoqet e atyre që kanë qejf të kenë një vend ku të shkojnë të luajnë. Dikush basketboll, dikush volejboll, dikush futboll, kjo është histori tjetër dhe është detyrë e shtetit që t’jua garantojë këtë të mirë.
Ajo çfarë ne kemi në plan është që të mund të ndërmarrim politika që këtë punë ta bëjmë realitet. Që të jem i sinqertë me ty kjo kjo nuk është diçka që realizohet as muajin e parë, as vitin e parë! Por e rëndësishme është që ta kesh si objektiv dhe të vendosësh objektiva! Dhe këtë do ta bëjmë! Patjetër

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb