Nga ZYHDI DERVISHI

Këto ditë akademiku Alfred Uçi do të festonte ditëlindjen e 86-të. Është e para ditëlindje që ai nuk është mes nesh. Në shenjë përkujtimi dhe sidomos nderimi që Prof. Alfred Uçi e meriton nga çdo shqiptar atdhetar dhe sidomos nga punonjësit e frontit të vështirë të punës mendore. Përvoja tregon se kthesat rrënjësore në zhvillimin e shoqërisë ndikojnë në rikompozimin e tablosë kulturore të saj. Rikompozime të tilla realizohen edhe si përpjekje për të rivlerësuar në ndriçim të ri sidomos koncepsionet e doktrinat pararendëse për çështjet shoqërore e politike, filozofike e artistike, estetike dhe kulturore.

Përgjithësisht procesi i rivlerësimit përfshin në shtjellën e tij edhe krijuesit e kulturës e të shkencave shoqërore, si ata që e kanë mbyllur ciklin e krijimtarisë, ashtu dhe ata që ende vazhdojnë të krijojnë. Disa idhuj, të fryrë si tullumbace nga rrjedha jashtë shkencore e që shërbenin si dekor për presidiumet zyrtare para kthesës, shfryhen e flaken si plastika pa vlerë, disa të tjerë rrudhen dramatikisht në përmasa. Ndërkohë janë të paktë ata që i rezistojnë kthesës dhe rriten bashkë me zhvillimet e reja. I tillë ka qenë edhe akademiku erudit Alfred Uçi.

I. SFIDUES I SFIDAVE

Në fillim të viteve ‘90 të shekullit XX, kur shoqëria shqiptare përjetoi kthesën e kalimit nga sistemi socialist totalitar në rrjedhën e zhvillimeve demokratike, profesor Alfred Uçi ishte në prag të moshës zyrtare të pensionimit.

Ndërkohë ishte filozofi dhe esteti më i afirmuar në Republikën e Shqipërisë. Kishte botuar 9 tekste e punime monografike, në të cilat trajtoheshin me përparësi probleme të estetikës, çështje teorike të artit, të krijimtarisë folklorike etj., pa llogaritur shkrime studimore të botuara në organet e shtypit në hapësirën shqiptare dhe në disa vende të tjera si dhe bashkautorësitë në hartimin e disa teksteve të filozofisë për studentët e nxënësit e shkollës së mesme. Sociologët amerikanë që kanë trajtuar me përparësi problematikën sociale të kërkimit shkencor, si Allison, Steart etj., kanë argumentuar se në përvjetorin e tyre të gjashtëdhjetë shumica e shkencëtarëve janë të ngurtësuar, sidomos lidhur me pranimin e të vërtetave të reja, duke i bërë kësisoj ata frenues për progresin. Sipas këtyre sociologëve, vetëm një numër fare i vogël shkencëtarësh më të aftë, më produktivë bëhen edhe më produktivë me kalimin e moshës.

Profesor Alfred Uçi i përket kësaj elite më elitare të studiuesve. Ndërkohë që mjaft kolegë të tij, studiues në fushën e filozofisë, të arteve e të estetikës, madje edhe më të rinj në moshë, nuk i përballuan sfidat e kthesës, si të thuash, u tërhoqën nga fronti i vështirë i kërkimit, profesor Alfred Uçi gjatë 25 vjetëve të fundit të zhvillimeve demokratike ka shkruar dhe ka botuar literaturë shkencore të standardeve akademike më të arrira, më shumë se dyfishi i asaj që kishte botuar para vitit 1990. Krijimtaria shkencore e profesor Alfred Uçit është polivalente. Ajo ndriçon teorikisht, në mënyrë të drejtpërdrejtë e të tërthortë, vartësisht nga rrethanat socialkulturore, edhe çështjet më të ndërlikuara të zhvillimeve filozofike, estetike dhe përgjithësisht kulturologjike në rrafsh universal dhe kombëtar.

II. KUNDËRKONFORMIZËM ME NËNTEKST KUNDËRBUNKERIZUES
Duke pasur formatin e plotë të shkencëtarit profesionist të klasit të parë, profesor Alfred Uçi është karakterizuar nga shpirti kundërkonformist, çka e ka mbrojtur në një masë të madhe krijimtarinë e tij nga dogmatizimi ideopolitik që impononin strukturat përkatëse të regjimit socialist totalitar. Me vizionin e profesionistit me kualifikimin më të lartë shkencor, profesor Alfred Uçi edhe në kushtet e diktaturës së proletariatit (deri në vitin 1990) i ka shfrytëzuar të gjithë hapësirat e mundshme për të përçuar në mjedisin e dogmatizuar të shoqërisë shqiptare teoritë e doktrinat filozofike, estetike e kulturologjike, të cilat nuk kishin “pasaportë” hyrjeje në shoqërinë shqiptare të vetizoluar skajshëm.

Kritika e doktrinave të tilla ishte e vetmja frëngji nëpërmjet së cilës ata mund të depërtonin në bunkerin e diktaturës komuniste në Shqipëri. Dhe profesor Alfred Uçi, me shumë mundime dhe duke rriskuar jo pak, ka qenë gjithnjë në ballë të përpjekjeve për të çelur dhe zgjeruar një frëngji të tillë drejt një bote të hapur, për ta mbajtur atë gjithnjë në gjendje funksionimi. Veçanërisht teksti në tri vëllime “Estetika” (1987-1988) dhe punimi monografik “Labirintet e modernizmit” u kanë ofruar studentëve, kritikëve, specialistëve të shkencave shoqërore e teatrove dhe publikut të gjerë një tablo të gjerë të doktrinave filozofiko- estetike, të cilat nga strukturat ideologjike zyrtare të regjimit socialist totalitar konsideroheshin “idealiste reaksionare”, “borgjeze dekadente”, “revizioniste” etj.

Këta libra janë shkruar me një logjikë e stil të tillë që funksionojnë natyrshëm si kritika, por në radhë të parë dhe me përparësi si parashtrim i argumentuar qartë i doktrinave kryesore estetike e të ndërthurjeve të tyre me doktrinat filozofike, sociale, kulturologjike etj. Sidomos gjatë viteve 70 e 80 të shekullit XX studentët e degës së filozofisë, të letërsisë, të arteve, artistë të të gjithë profileve komunikonin me rrymat kryesore bashkëkohore të mendimit estetik, artistik, kritik etj., kryesisht nëpërmjet librave dhe artikujve të shumtë të profesor Alfred Uçit. Për studentët ai ka qenë gjithnjë pedagogu model, i niveleve superiore në aftësitë pedagogjike e shkencore, në dinjitetin shkencor e shoqëror, përherë i përkushtuar ndaj mësimdhënies dhe kërkimit, gjithnjë kundërshtar i paepur i perversiteteve të kohës në rrafsh politik e social, profesional e moral etj.

III. DISA PROFILE TEORIKE TË SPIKATURA

Është e vështirë, ose më saktësisht e pamundur që në formatin e një shkrimi të ravijëzohen tiparet e arritjet më të spikatura të veprimtarisë shkencore të profesor Alfred Uçit. Në këtë artikull do të përpiqemi të rilevojmë vetëm disa prej tyre, të trupëzuara në vepra të botuara vitet e fundit. Së pari, duke qenë njohës i thellë i kulturave, i qytetërimeve kryesore, i ligjësive të zhvillimit të tyre, profesor Uçi i shqyrton doktrinat filozofike, estetike e artistike të kontekstualizuara në rrjedhën e zhvillimeve shoqërore, kulturore, artistike etj. Në veprat e tij gërshetohen natyrshëm argumentimet e përgjithësimeve të nivelit më të lartë me analizat ilustruese të dukurive konkrete estetike e artistike në shoqëri e kohë të ndryshme. Së dyti, të gjitha doktrinat filozofike, estetike artistike analizohen në rrjedhën e evolucionit të tyre, në dinamikën e ndryshimit të funksioneve të tyre social-kulturore, në procesin e përditësimit dhe të ndikimit të tyre në zhvillimet e ardhshme.

Për këtë ai, ndër të tjera argumenton: “Gjatë zhvillimit historik të filozofisë formulohen ide e probleme filozofike, rëndësia e të cilëve kuptohet më thellë në sfond të bashkëkohësisë dhe zhvillimit të ardhshëm të dijeve. Dhe kjo do të thotë se historia e filozofisë rrëmih në të kaluarën për t’i shërbyer zhvillimit bashkëkohor dhe së ardhmes; ajo është një disiplinë që përtërihet e pasurohet, duke i shëmbëllyer asaj qenies mitike, Janusit me dy fytyra: njëra e drejtuar prapa dhe tjetra drejt kohës sonë”. Së treti, ndonëse kultura shqiptare ka shtrirje gjeografike të kufizuara, autori në gjithë krijimtarinë e tij ka evidentuar komunikimet e kulturave të përhapura në hapësira më të gjera me kulturën shqiptare në rrafshin filozofik, estetik, artistik etj. Kultura shqiptare dhe kulturat e tjera, veçanërisht ato perëndimore, europiane etj., kanë funksionuar e funksionojnë si të thuash, sipas parimit të enëve komunikuese.

Arritjet e mendimit filozofik, estetik, artistik etj. qarkullojnë nga njëra kulturë në tjetrën dhe anasjelltas, duke synuar vazhdimisht lartësimin e mendimit shkencor, saktësimin e tij përmes diskutimeve gjithnjë më intensive etj. Për këtë Alfred Uçi, veç të tjerash, nënvizon: “Duam të konkretizojmë mendimin tonë me një problem të mirëfilltë filozofik, që ka qenë ngritur e formuluar qysh në antikitet dhe që edhe sot e kësaj dite, do të thoshim, vazhdon ta torturojë mendimin filozofik. E kemi fjalën për supozimin e Platonit në ekzistencën e ideve instinktive. Dihet se ish-nxënësi i tij, më i miri, Aristoteli, kundërshtoi me të drejtë disa argumente e arsyetime të mësuesit të tij, e megjithëkëtë Stagiritasi nuk arriti t’i japë një zgjidhje të plotë e përfundimtare problemit që ngriti Platoni mbi idetë instinktive.

Iu rikthye këtij problemi Dekarti, duke dhënë disa argumente të reja për ekzistencën e ideve të vetëlindura, pranimi i të cilave e pasuronte kuptimin e funksionimit të mendjes së njeriut dhe të teorisë së njohjes me pranimin e njohjes intuitive racionale”. Së katërti, edhe në fushën e kërkimeve shkencore, sidomos për problematikën sociale, kulturore, artistike, filozofike etj., jo pak personalitete të shquara nuk u kanë shpëtuar kurtheve të paragjykimeve të shumëllojshme, trajtimeve të njëanshme etj. Profesor Uçi i ka kapërcyer gjithnjë me sukses kurthe të tilla. Në veprat e tij spikat një përmasë universalizuese, citohen e analizohen pikëpamjet më me vlerë të autorëve të vendeve perëndimore dhe të atyre lindore, si grekë e gjermanë, amerikanë e rusë, italianë e polakë etj.

Ai e qëmton nektarin e formulimeve teorike kudo ku gjendet, jashtë mjegullnajës së paragjykimeve, e cila pas Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht në vendin tonë, ka mbuluar herë hemisferën perëndimore e herë atë lindore. Për të ilustruar këtë ide mjafton të përmendim se vetëm në 5 faqe të vëllimit të dytë të librit “Universi estetik” citohen 12 nga filozofët, estetët dhe teoricienët më të shquar të arteve të vendeve dhe të epokave të ndryshme nga antikiteti deri në ditët tona si Aristoteli e Plotini, Agostini e Akuini, Isidori e Prokopi, Bedai e Kroçe, Shastleri e Bayeri, Xhilberti dhe Kuni. Edhe përzgjedhja e citateve dëshmon se autori i këtij libri njeh deri në imtësi jo vetëm tërë sistemin e pikëpamjeve të mendimtarëve që i referohet, por edhe veçoritë e dinamikës së evolucionit të indit të mendimit filozofik dhe estetik nga njëri tek tjetri edhe nën ndikimin e rrethanave social-kulturore në proces ndryshimi.

IV. ZHBËRËS PARAGJYKIMESH SHKENCORE EDHE PËRTEJ KULTURËS SHQIPTARE
Po të shpreheshim me terminologjinë e sociologut amerikan bashkëkohës Robert K. Merton, profesor Alfred Uçi në gjithë veprimtarinë e tij kërkimore-shkencore udhëhiqet nga “ideali shkencor i skepticizmit të organizuar”. Duke parë tërë historinë e mendimit filozofik, estetik e kritiko-artistik me thjerrëzat e një skepticizmi të tillë, profesor Alfred Uçi vë në dyshim, madje i hedh poshtë me argumentime të plota edhe paragjykime pothuajse të fosilizuara, të cilat kanë penguar përparimin e mendimit filozofiko-estetik edhe në vendet më të urbanizuara të Perëndimit. Edhe estetë e studiues mjaft të shquar, si Kroçe, Xhilbert, Kun, Shastleri etj., në forma të ndryshme e kanë nënvleftësuar mendimin estetik mesjetar ose e kanë mohuar fare atë.

Për shembull, Shastleri mbron idenë se “një mijë vjetët e mesjetës janë thjesht një zbrazësi për sa i përket mendimet estetik”. Profesor Alfred Uçi jo vetëm argumenton pathemelësinë e pikëpamjeve të tilla, por parashtron një tablo të plotë analitike të vlerave të doktrinave estetike të përpunuara gjatë mesjetës, të cilat përbëjnë një fazë të rëndësishme përparimi, një hallkë të do universit estetik të antikitetit dhe begatisë së mendimit estetik të periudhës moderne. Lidhur me këtë çështje në vëllimin e dytë të librit “Universit estetik” profesor Uçi thekson: “Një nga problemet kyçe të analizës sonë do të jetë raporti midis universeve estetike të antikitetit dhe të mesjetës, dallimet cilësore dhe lidhjet ndërmjet tyre, kontinuiteti e diskontinuiteti, vazhdimësia e bijëzimet dhe ndarjet midis tyre.

Ky konceptim nuk përkon më me pikëpamjen e shumicës së studiuesve të historisë së doktrinave estetike; e kemi fjalën jo thjesht për disa syresh, të cilët nën ndikimin e filozofisë ateiste të iluminizmit të shek. XVIII e kanë përdorur, madje ndonjë syresh vazhdon ta përdorë konceptin “mesjetë” me kuptim krejt pejorativ, duke e barazuar e identifikuar gjithë mesjetën me “kohën e errësirës” e “obskurantizmit”, “inkuizicionit” dhe “regresit”, duke ia kundërvënë atë qytetërimit antik të idealizuar. Që këtej ata kanë mohuar mendimin estetik autentik të mesjetës ose nuk kanë parë asnjë vlerë origjinale të tij dhe, nga ana tjetër, këtë konceptim e mbështesin edhe në mohimin absolut të ndonjë lidhjeje ose vazhdimësie midis qytetërimit antik, sidomos greko-romak dhe botës mesjetare europiane. Në këtë interpretim ka ndikuar e ndikon ideja që e konsideron mesjetën një fazë aksidentale, madje krejt regresive të historisë së njerëzimit. Kalimi nga antikiteti në mesjetë, e cila ka pasur një zhvillim tejet kontradiktor, ka pasur edhe shkatërrim vlerash të trashëguara, por edhe arritje, edhe përparime, me një fjalë, për ne mesjeta ka qenë e pashmangshme dhe e vetëmjaftueshme”.

I ndriçuar nga një metodologji e saktë shkencore, prof. Alfred Uçi depërton në të gjithë labirintet e mendimit estetik, të cilat përshkojnë epokat historike nga antikiteti, mesjeta, Rilindja dhe klasicizmi. Nëpërmjet analizash komplekse shumëpërmasore ai arsyeton jo vetëm arritjet e mangësitë e çdo doktrine estetike në sfondin kohor të zhvillimeve shoqërore, filozofike e shkencore, por edhe parashtron sipas kritereve antologjike fragmentet më përfaqësuese të çdo doktrine. Kësisoj, librat e profesor Alfred Uçit shpërfaqen si mozaikë shumë të larmishëm, me një pasuri të pallogaritshme mendimesh të nuancuara, pohimesh e kundërshtimesh, argumentesh e kundër argumentesh, faktesh artistike, historike etj.

Por autori asnjëherë nuk humbet në këto labirinte falë aftësisë së tij përgjithësuese të jashtëzakonshme: “Në vazhdën e veprimit të faktorëve social-kulturorë – nënvizon ai në vëllimin e dytë të “Universit estetik”, – por edhe të faktorëve estetiko-artistikë imanentë për 15 shekuj, që na interesonin në librin tonë, mund ta përcaktonim si substancë kryesore të kristalizuar dhe të zhvilluar klasicizmin (klasiken), i cili kuptohet prej nesh si një koncentrat i ideve më konsistente, më qenësore estetike e artistike, që ka ardhur edhe përmes përvetësimit të trashëgimisë pozitive të antikitetit e të mesjetës dhe ka evoluar drejt klasicizmit të shek.

XVII, që shënon një ekspansion të përgjithshëm edhe të kulturës estetiko-artistike në përgjithësi. Por kjo s’do të thotë se përmbajtja e çdo epoke ka qenë krejt monolite, se në secilën prej tyre spikat një bërthamë e tipit klasik, por krahas saj kanë ekzistuar edhe risi e anësime të tjera, herë të nxitura nga hapësirat e lira të klasicizmit, herë nga kundërshtimi i kufijve disi të ngurtë të absolutizmit të kësaj bërthame”. Ky është një karakterizim përgjithësues i nivelit të lartë i klasikes si një koncept qendror i historisë së zhvillimit të shoqërisë e të filozofisë, të estetikës e të arteve.

V. PËRKTHIMI – NJË OBLIGIM NDAJ KULTURËS KOMBËTARE

Që kur ka përfunduar studimet universitare deri sa mbylli sytë përgjithnjë, për afro 62 vjet, profesor Alfred Uçi ka qenë në ballë të veprimtarisë kërkimore. Mjaft nga tekstet, artikujt dhe sidomos punimet monografike të shumta kanë vlera jo vetëm në hapësirat e kulturës shqiptare, por dhe më gjerë.

Ndaj mendojmë se është obligimi i strukturave përkatëse të Akademisë së Shkencave, të Ministrisë së Arsimit dhe të Sporteve të Republikës së Shqipërisë të financojë përkthimin e botimin në gjuhë të huaja, së paku në anglisht, të studimeve më të arrira të akademikut Alfred Uçi, veçanërisht ato që kanë profil kombëtar më të spikatur ose që përfaqësojnë arritje për mendimin filozofiko-estetik në shkallë botërore. Më shumë se respekt për akademikun Alfred Uçi përkthime të tilla do të ishin nderim për kulturën shqiptare filozofiko-estetike, për afrimin e saj me kulturën europiane e më gjerë, për integrimin e kulturës shqiptare në rrjedhat e zhvillimeve botërore bashkëkohore.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: