Kryetari i Këshillit Kombëtar të Berishës, Edi Paloka me anë të një komunikimi të drejtpërdrejtë në studion e emisionit “Open” ka folur në lidhje me çështjen e vulës së PD-së.

Paloka deklaroi se vendimi nuk e ka kapur pa përgatitur grupimin që ai përfaqëson, ndërsa shtoi se koalicioni do ndodhë për shkak se ka qenë gjithmonë një strategji e PD-së dhe jo për shkak të vendimit të Apelit.

Sipas tij grupimi i Enkelejd Alibeajt ka dorëzuar dokumente false dhe do jetë në dorën e KQZ-së për të zgjedhur se kë do regjistrojnë.

Sakaq, Paloka zbuloi një episod ku pretendoi se ministrja Olta Xhaçka i ka treguar me mesazh ambasadorit të Serbisë në vend për vendimin e vulës së PD-së në gjykatë një javë para se të merrej.

“Vendimi që u mor mbrëmë ishte për mënyrën si do hyjë PD në zgjedhje. Kishte tek tuk mendime për kombinime me kandidatë të pavarur në zona të caktuara por do kemi vetëm futje në koalicion me partitë aleate, me ato që kemi marrëveshje të nënshkruar. Marrëveshje kemi me PBDNJ dhe Partinë e Lirisë, por me partitë e tjera kemi zhvilluar bisedime dhe para kësaj situate.

Rama paska futur në qëllimin e tij për të eliminuar mundësinë e bërjes së koalicioneve, ka futur një pikë sipas të cilës në koalicion futen ato parti që kanë deputetë në parlament dhe numri i partive në koalicion është i mundshëm deri në numrin e deputetëve, pra ka bërë një lëmsh me ca pika që duket që është bërë qëllimisht për të penguar koalicionet.

Nuk na ka kapur pa përgatitur ky moment. Koalicioni nuk po ndodh për herë të parë nga halli sepse në koalicion kemi qenë në 90% të rasteve. Kemi qenë thuajse të përgatitur për vendimin e gjykatës ose atyre që i kam quajtur pupacë të Ramës me toga të zeza, që lexojnë vendimet që u ka shkruar Rama. E deklaroi Balla, doli komunikimi i Xhaçkës, ambasadori i Serbisë është ai për të cilin bëhet fjalë në mesazhe. Për ata e kanë dashurinë.

Ka dalë së fundmi një komunikim ku rezulton që Xhaçka i ka thënë një ambasadori që vendimi për gjyqin është marrë dhe do të kalohet në shkallë të parë. Ky mesazh ka dalë një javë para vendimit. Ajo që po them unë është se ambasadori për të cilin bëhet fjalë është ai i Serbisë. Ai mesazh që ka dalë ka ardhur nga dikush.

Unë nuk jam jurist por publiku duhet t’i dijë ca gjëra. Vendimi i Apelit nuk është përfundimtar, është një vendim që na kthen në 12 dhjetorin e Kuvendit, ku nuk është marrë akoma një vendim për këtë çështje. Kjo nuk legjitimon Alibeajn. Kjo lidhet edhe me faktin se pse depozituam dokumentet në KQZ. Ka një vendim gjykate që e ka njohur 11 dhjetorin dhe nuk ka asnjë vendim tjetër që të ketë rezultuar në të kundërt. Dhe pse u mor ai vendim në Apel jemi ne që përfaqësojmë zyrtarisht dhe juridikisht PD-në.

Në koalicion do hymë si PD ne. Ne nuk po bëjmë koalicion për në zgjedhjet e këtij viti, atë e kemi bërë gjithmonë, jo se nuk kemi si të hyjmë. KQZ e ka në dorë, do pranojë dokumentet tona apo ato të falsifikuarat e Alibeajt. KQZ ka tagrin për të vendosur për këtë punë.

Kryetarët e partive nuk i vendosin gjykatat. Po të ishte me këtë logjikë ashtu si hyri Alibeaj mund të hyjë dhe Taulant Balla. Alibeaj nuk ka asnjë tagër më shumë se Balla. Edhe ai po të bëjë kërkesë në gjykatën që kontrollohet nga Rama ai bëhet kryetar”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: