Komisioni i Rithemelimit kundër thirrjes së mbledhjes së grupit parlamentar të PD nga Enkelejd Alibeaj.

Drejtoresha e Komunikimit të Komisionit të Rithemelimit, Floriana Garo deklaroi sot se ky Komision inuk e njeh më për kryetar të grupit Alibeajn, por si deputet të thjeshtë.

“Alibeaj nuk përfaqëson as Partinë Demokratike, e as grupin e saj parlamentar. Thirrja nga ana e deputetit Alibeaj, me porosi të Ramës, e mbledhjes së Grupit Parlamentar, është një fyerje e rëndë për të gjithë demokratët dhe një akt i paligjshëm. Alibeaj, si deputet i thjeshtë, nuk ka më asnjë autoritet për të thirrur mbledhje të grupit parlamentar.
Komisioni i Rithemelimit, i bën thirrje të gjithë deputetëve të PD të injorojnë këtë thirrje dhe të mos bien pre e lojrave Rama-Basha-Alibeaj me fasadë opozitë dhe axhendës së tyre antidemokratike”, tha ajo.

Kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj thirr mbrëmë deputetët në një mbledhje grupi sot në orën 17:00 për të diskutuar për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit.

DEKLARATË, KOMISIONI I RITHEMELIMIT TË PARTISË DEMOKRATIKE
Lidhur me disa veprime individuale të fundit të deputetit Enkelejd Alibeaj. 
Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike deklaron sa vijon:
1-Pas shkarkimit nga çdo detyrë nga Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike i datës 30 Prill 2022, deputeti Enkelejd Alibeaj nuk përfaqëson as Partinë Demokratike, e as grupin e saj parlamentar.

Me gjithë këtë, ai vazhdon të përfshihet në farsën e turpshme të Edi Ramës të negociatave për zgjedhjen e Presidentit të Republikës me opozitë të emëruar prej tij. Deputeti Enkelejd Alibeaj dhe cilido që merr pjesë në farsën elektorale të Edi Ramës, përfaqëson thjesht veten dhe problemet e tij dhe kurrë opozitën shqiptare.
Deputeti Alibeaj, po përpiqet që të zgjedhë nën-dorë presidentin e Edi Ramës ose më së paku ta legjitimojë atë përkundrejt ndonjë pazari të tij. Kjo përbën tradëti ndaj qindra mijëra zgjedhësve shqiptarë të cilëve, Edi Rama bashke me patronazhistët, paratë e drogës dhe krimit, bandat e lidhura me qeverinë dhe duke përdorur të gjithë narkoshtetin, u rrëmbeu votën.

Për rrjedhojë, Edi Rama nuk ka vota të ligjshme për të zgjedhur një president legjitim me votat e tij.
Rikujtojmë këtu, se me urdhër të Edi Ramës dhe në pazare me këtë të fundit, Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj për herë të parë në historinë e Parlamentit Shqiptar, shuan pa u mbledhur, Komisionin Hetimor parlamentar të votuar në tetor 2021 për zbardhjen e masakrës zgjedhore të 25 prillit.

Qëndrimi i Partisë Demokratike për zgjedhjen e Presidentit është i qartë. 
Partia Demokratike angazhohet në këtë proces vetëm në rastin që pseudo-mazhoranca vendos të pranojë për President Republike kandidatin e opozitës së vërtetë, e jo opozitës së emëruar, i cili duhet të jetë një emër konsensual i forcave politike opozitare.

2- Thirrja nga ana e deputetit Alibeaj, me porosi të Ramës, e mbledhjes së Grupit Parlamentar, është një fyerje e rëndë për të gjithë demokratët dhe një akt i paligjshëm. Alibeaj, si deputet i thjeshtë, nuk ka më asnjë autoritet për të thirrur mbledhje të grupit parlamentar.
Komisioni i Rithemelimit, i bën thirrje të gjithë deputetëve të PD të injorojnë këtë thirrje dhe të mos bien pre e lojrave Rama-Basha-Alibeaj me fasadë opozitë dhe axhendës së tyre antidemokratike. 

3-Thirrja e mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike bëhet vetëm nga Kryesia e Grupit Parlamentar që përbëhet nga anëtarët e saj dhe nënkryetarët e grupit parlamentar. 

4-Kryesia e grupit përcakton edhe rendin e ditës të mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
5- Mbledhja e Grupit Parlamentar të PD pas shkarkimit të zotit Alibeaj nga Kuvendi i datës 30 prill 2022 deri në zgjedhjen e Kryetarit të ri, do të kryesohet nga nënkryetarët e Grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
 
Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike dënon si mafjoze tipike dhe fyese, për shqiptarët dhe institucionin e nderuar të Presidentit të vendit, praktikën antikushtetuese që Edi Rama me opoziten e tij të emëruar po ndjekin për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb