Gjatë bashkëbisedimit me banorët e Thumanës, të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, kryeministri Edi Rama i ka hequr mikrofonin një banoreje, në momentin që kjo e fundit përmendi Presidentin Ilir Meta.

Banorja e pyeti për një shqetësim, nëse do të merrte banesat e fëmijëve, që do të prishen për t’u bërë projektet e reja të rindërtimit, por në fund kërkoi të thotë edhe diçka mbi fjalën e Metës mbrëmë në manifestim. Në këtë moment, Rama është revoltuar dhe ka kërkuar t’i merret mikrofoni, duke thënë se po sjell ters në Thumanë, duke përmendur Presidentin.

Banorja: Aman o Edi Rama hiqi përrallat se s’po na mban vendi. Nga ky hall që na ka rënë, jemi bërë pesimistë, duke folur me vete, se kur kemi parë fëmijët aty dhe kërkonte ndihmë e nuk ishim të zotët ta ndihmonim. I kemi blerë shtëpitë me djersë. Dua të di çfarë do bëhet me shtëpitë, që kisha për djemtë, që janë në Itali. Këta thonë që do t’i prishin.

Rama: Më myte, më shkatërrove. Më lërë të flas. Ti sikur të sulmon, sikur të lavdëron, të myt.
Banorja: Të dyja bashkë i bëj.
Rama: Tani shtëpitë janë në emër të djemve?
Banorja: Janë në emrin e burrit dhe timin.

Rama: Shtëpitë do t’i marrësh, siç i kishe, të dy hyrjet në pallatet që kishe.
Banorja: Edhe një gjë tjetër, se dëgjova atë Ilir Metën atje
Rama: Boll tani, bjere mikrofonin, mos na sill ters në Thumanë, o Zot, kot s’e kemi çuar në Parlament këtë. Ishim mirë këtu, lëre tani mos na sill ters, lërja Presidencës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb