PRISHTINE- Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, me anë të një mesazhi në rrjetin social “Twitter” ka mbështetur qëndrimin e EULEX-it ndaj ministrit të Drejtësisë Hajredin Kuçi. Shoqëruar me linkun e deklaratës së EULEX-it ndaj Hajredin Kuçit, Delawie ka theksuar se SHBA-ja pajtohet që autoritetet e Kosovës duhet të sigurojnë ambient të qetë që gjyqësori të kryej punën e tij.

“SHBA pajtohet: Autoritetet e Kosovës duhet të sigurohen se gjyqësori merr mbështetje për të gjykuar në një mjedis të qetë”, pohohet në mesazhin e ambasadorit. Në një emision televiziv, ministri Kuçi tha se dënimi i kryetarit të Skenderajt Sami Lushtaku nga Gjykata Themelore e Prishtinës është absurd. Më pas pasoi reagimi i EULEX-it, duke e konsideruar deklaratën e Kuçit si tentim për frikësim dhe ndërhyrje politike.

“Mbrëmë, në një intervistë televizive, Ministri i Drejtësisë ka dhënë mendimin e tij lidhur me meritat e një rasti penal të profilit të lartë në Gjykatën e Apelit dhe e ka vënë në pyetje vendimin të cilin e kanë marrë gjyqtarët në Gjykatën Themelo re në Prishtinë. EULEX-i thekson se deklaratat e tilla mund të perceptohen si frikësim dhe ndërhyrje politike. Autoritetet e Kosovës duhet të sigurojnë që gjyqësori të gëzojë mbështetjen e duhur për të gjykuar në një mjedis të paanshëm”, -citohet në reagimin zyrtar të EULEX-it.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: