Ambasadori i Shtetit të Katarit Ali bin Hamad Al-Marri, në një intervistë për emisionin Diplomaticus të gazetarit Erion Kaçorri në News 24 flet per marrëdhëniet mes dy vendeve, raportet ekonomike, mundësinë e investimeve në Shqipëri, kampionatin Botëror të Futbollit “Qatar 2022”. Ambasadori Ali bin Hamad Al-Marri thekson se Katari po eksploron potencialet dhe fushat e investimeve që kanë interes të përbashkët sepse Shqipëria ka një pozicion gjeografik të favorshëm në Ballkan dhe Europë.

Shkëlqesia Juaj, Ju falënderoj për këtë intervistë dhe Ju uroj suksese në detyrën Tuaj. Fillimisht do të doja të flisnim rreth marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Si do t´i përkufizonit Ju këto marrëdhënie?
Përshëndetje dhe Ju faleminderit juve për intervistën… Përfitoj nga rasti këtu që nëpërmjet televizionit Tuaj të nderuar të përshëndes popullin mik shqiptar. Marrëdhëniet midis Republikës së Shqipërisë dhe Shtetit të Katarit janë solide dhe të thella. Ato karakterizohen nga një qëndrueshmëri e fortë dhe miqësi të ngushtë, bazuar në respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim të përbashkët si në aspektin bilateral ashtu edhe në atë multilateral. Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve tona u vendosën në vitin 1992. Që atëherë të dy vendet kanë punuar shumë dhe në vazhdimësi për t’i forcuar dhe zhvilluar më tej këto marrëdhënie, duke ndërtuar ura të reja bashkëpunimi në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Në këtë drejtim, dua të përmend vizitën historike të Lartësisë së Tij, Emirit Baba Sheikh Hamad bin Khalifa Al Thani në Republikën e Shqipërisë në tetor të vitit 2011, vizitë e cila pati një ndikim të madh në promovimin dhe hapjen e horizonteve të reja në marrëdhëniet dypalëshe, pasi në fund të vitit 2011 u hap Ambasada e Shqipërisë në Doha, dhe në shkurt të 2012-tës u hap edhe Ambasada e Shtetit të Katarit në Tiranë.
Më pas, vizitat midis dy vendeve tona janë shpeshtuar. Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Sh.T.Z. Edi Rama zhvilloi vizitën e Tij të parë zyrtare në Doha në 2014, dhe gjatë prillit të kaluar (2019) kreu vizitën e Tij të dytë zyrtare. Gjithashtu ish-Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Bujar Nishani ka vizituar Shtetin e Katarit në vitin 2015, dhe në prill 2019 ishte në Doha për një vizitë zyrtare edhe Kryetari i Parlamentit Sh.T.Z. Gramoz Ruçi. Gjatë këtyre vizitave të nivelit të lartë, janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi dhe memorandume mirëkuptimi midis dy vendeve tona, gjë që dëshmon vullnetin e fortë të të dy palëve për të çuar përpara marrëdhëniet bilaterale. Krahas kësaj, midis dy vendeve tona ka një koordinim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm në organizatat ndërkombëtare si dhe mbështetje të ndërsjellë për kandidaturat e paraqitura nga të dy palët në këto organizata.

Nisur nga kjo, unë jam i bindur që marrëdhëniet tona do të njohin në të ardhmen konsolidim të mëtejshëm dhe bashkëpunim më të madh në interes të të dy vendeve dhe popujve tanë miq. Kjo edhe falë direktivave të Lartësisë së Tij Emirit të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, dhe të autoriteteve më të larta në Republikën e Shqipërisë.

Z. Ambasador! Kemi vërejtur prej Jush që keni qenë aktiv që kur keni ardhur me disa projekte në Shqipëri. Dua t’Ju pyes si është aktualisht niveli i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe si mund ta nxisim më shumë këtë bashkëpunim?
Siç e përmenda edhe më lart, marrëdhëniet midis dy vendeve janë të forta dhe të qëndrueshme. Të dy vendet kanë vullnet dhe bëjnë përpjekje për t’i forcuar dhe zhvilluar më tej ato në të gjitha fushat politike, ekonomike dhe kulturore. Unë jam shumë i lumtur që rezultatet e këtyre përpjekjeve t’i shoh në terren. Për shembull, në tetor 2018 ne nënshkruam një marrëveshje midis Shtetit të Katarit dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për të financuar projektin e rikonstruksionit të shkollës “Jeronim de Rada” në Tiranë, dhe në korrikun e kaluar morëm pjesë në fillimin e punimeve të këtij projekti. Gjithashtu, pak ditë më parë nënshkruam një marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të mbështetur spitalet publike shqiptare, marrëveshje e cila do të fillojë të implementohet shumë shpejt. Shteti i Katarit ka financuar edhe më parë shumë projekte në fusha të ndryshme në Shqipëri, dhe aktualisht janë disa projekte investimesh për të cilat po punohet që të realizohen në të ardhmen.

E duke iu kthyer pyetjes Suaj, dua t’ju siguroj që mes dy vendeve tona ka një dëshirë të fortë dhe të përbashkët për të rritur bashkëpunimin ekonomik. Të dy palët po ecin në drejtimin e duhur dhe me hapa të sigurt për të forcuar dhe intensifikuar format e bashkëpunimit në ekonomi dhe investime. Eventualisht po koordinojmë për të eksploruar potencialet dhe fushat e investimeve që kanë interes të përbashkët. Konkretisht, janë disa projekte në studim e sipër nga të dy palët, të cilat shpresoj se do të shohin dritën e realizimit së afërmi.

Në këtë kontekst, dua t’Ju pyes cilat janë fushat që Katari ka më shumë interes për të investuar në vendin tonë? Dhe si e shihni klimën e të bërit bisnes në Shqipëri?
Padyshim, Shqipëria ka një pozicion gjeografik të favorshëm në Ballkan dhe Europë në përgjithësi, çka e bën atë një vend atraktiv për investimet e huaja. Krahas pozicionit, vendi zotëron potenciale të mëdha në sektorët e energjisë, transportit, bujqësisë dhe turizmit, si dhe pasuri natyrore në minerale, ujë etj.
Prandaj, mundësitë për investime në Shqipëri janë të shumta dhe interesante që mund të shfrytëzohen në mënyrë optimale e që mund të sjellin përfitim të përbashkët dhe të forcojnë ekonominë shqiptare. Mund të them se fusha e infrastrukturës, transportit, turizmit, industrisë dhe minierat përbëjnë sektorë premtues dhe tërheqës për investime.
Nga Katari janë disa kompani private që kanë shfaqur interes për të operuar në Shqipëri. Ambasada jonë është duke bërë të gjitha përpjekjet për të mbështetur nismat që synojnë rritjen e bashkëpunimit midis kompanive dhe bizneseve dhe eksplorimin e mundësive të përbashkëta të investimit në të dy vendet. Gjithashtu, jam i sigurt se realizimi i reformave që po zbaton aktualisht Republika e Shqipërisë, veçanërisht reforma në Drejtësi, do të ketë një impakt shumë pozitiv në thithjen e investimeve të huaja dhe do të kontribuojë në përmirësimin e klimës së biznesit në vend.

Po në aspektin social dhe kulturor, si do ti përshkruanit marrëdhëniet midis dy vendeve dhe popujve tanë? A ka ndonjë lëvizje në këtë drejtim?
Mund të them me siguri të plotë se marrëdhëniet tona sociale dhe kulturore janë të shkëlqyera. Populli shqiptar dhe ai katarian ndajnë shumë gjëra të përbashkëta. Lidhjet e qytetërimeve mes dy vendeve i kanë rrënjët thellë në histori, siç janë traditat dhe zakonet familjare dhe kombëtare, dhe po ashtu trashëgimia islame. Në Shtetin e Katarit jeton një komunitet shqiptar që punon në sektorë të ndryshëm ekonomikë dhe shërbimesh. Ata janë të respektuar dhe të mirëpritur atje. Ky komunitet shërben si një urë e fortë për zhvilluar më tej lidhjet vëllazërore midis dy popujve tanë.

E meqë po flasim për aspektin social dhe kulturor, kam kënaqësinë gjithashtu t’ju them se një anije e vjetër katariane me vela po lundron aktualisht në vendet e rajonit në një turne që quhet “Fatah Al Khair 4”. Deri tani ka vizituar Turqinë dhe Greqinë dhe më 20 gusht 2019 do të mbërrijë në brigjet Shqiptare. Me këtë rast do të zhvillohen shumë aktivitete kulturore të përbashkëta në disa qytete të Shqipërisë deri më datën 26 gusht. Ky turne detar unik në llojin e tij që do të zgjasë katër muaj gjatë këtij viti, synon të njohë popujt e vendeve ku do të ndalojë anija, me kulturën dhe trashëgiminë e Katarit, si dhe promovimin e Botërorit të Futbollit “Qatar 2022”.

Interesante! Çfarë aktivitetesh do të organizohen me këtë rast në Shqipëri dhe ku do të zhvillohen ato?
Në Shqipëri, ndalesa e parë e anijes katariane me vela “Fateh Al Khair” do të jetë Saranda. Anija pritet të mbërrijë në portin e këtij qyteti të bukur shqiptar më 20 gusht në orën 6 pasdite, ku do të qëndrojë dy ditë. Me këtë rast, në bashkëpunim me Bashkinë e Sarandës dhe autoritetet e tjera qendrore dhe vendore, do të organizohet një pritje e madhe në shëtitoren e qytetit. Banorët e Sarandës dhe të pranishmit në këtë pritje do të kenë mundësinë të hyjnë dhe të shohin anijen nga brenda, ku do të njihen me vetë anijen si dhe me kulturën detare të Katarit. Atyre do t’iu dhurohen edhe suvenire që simbolizojnë Botërorin “Qatar 2022”. Krahas kësaj do të zhvillohen disa aktivitete të tjera kulturore argëtuese, prandaj përfitoj nga rasti t’i ftoj qytetarët Sarandës dhe vizitorët e saj ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të na nderojnë me pjesëmarrjen e tyre në këto aktivitete.
Pas Sarandës, anija do të niset për në portin e Durrësit ku do të arrijë më 24 Gusht në orën 6 pasdite. Edhe në këtë qytet të lashtë të historisë dhe kulturës shqiptare, në bashkëpunim me Bashkinë Durrës do të organizohet një pritje dhe disa aktivitete interesante me banorët e qytetit dhe vizitorët e plazhit.

Ndërsa më 25 gusht, aktivitetet e lidhura me lundrimin “Fatah Al Khair 4” do të transferohen në Tiranë. Për dy ditë, në sheshin “Skënderbej” në qendër të kryeqytetit dhe tek parku i liqenit, do të zhvillohen disa surpriza të këndshme dhe do të organizohen aktiviteteve kulturore dhe sportive në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës.
Dhe sikurse thashë, në Tiranë do të ketë disa surpriza të bukura dhe aktivitete emocionuese për të gjitha grupmoshat, gjatë të cilave do të shpërndahen dhurata dhe suvenire me logo të Botërorit “Qatar 2022”. Këto aktivitete janë të hapura për mbarë publikun, prandaj i ftoj që të gjithë të vijnë dhe t’i shijojnë ato.
Me këtë rast, dua të falënderoj të gjithë zyrtarët në Shqipëri që po kontribuojnë me ne për organizimin e këtyre eventeve dhe aktiviteteve të bukura kulturore, të cilat do të forcojnë lidhjet dhe miqësinë mes dy vendeve dhe popujve tanë. Falënderoj veçanërisht Kryetarin e Bashkisë së kryeqytetit z. Erion Veliaj, si dhe kryebashkiakët dhe stafin e bashkive Tiranë, Durrës dhe Sarandë.

Prej më se dy vitesh, vendi Juaj ndodhet nën bllokadë për shkak të krizës ende aktuale të Gjirit. Grupi ynë mediatik i ka përcjellë në vijimësi zhvillimet e kësaj krize. A mund të na thoni diçka më tepër rreth kësaj çështje dhe si është situata sot në Katar?
Tashmë dihet që kriza aktuale e Gjirit, nga e cila kanë kaluar më shumë se dy vite e dy muaj, nisi pas piraterimit të faqes zyrtare të Agjencisë së Lajmeve të Katarit më 23 maj 2017 dhe publikimit të disa gënjeshtrave të trilluara që iu mveshën Lartësisë së Tij Emirit të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, dhe fabrikimit të akuzave rreme dhe plotësisht pa asnjë bazë kundër Shtetit të Katarit. Më 5 qershor 2017 katër vende, konretisht Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti, ndërprenë në mënyrë të njëanshme marrëdhëniet diplomatike me Shtetin e Katarit, mbyllën të gjitha portet tokësore detare dhe ajrore, dhe imponuan një bllokadë të paligjshme ndaj Katarit dhe popullit të tij, duke dëbuar me forcë qytetarët katarianë nga këto vende. Ky përshkallëzim shkaktoi probleme sociale, efektet e të cilave u shtrinë jo vetëm brenda Katarit, por në të gjithë rajonin, për shkak të lidhjeve familjare dhe farefisnore ndërmjet popujve të vendeve të Gjirit.

Këto masa të padrejta dhe në kundërshtim me traktatet dhe normat rajonale e ndërkombëtare, në fillim ishin realisht tronditëse, sepse ne nuk e imagjinonim kurrë që vendet fqinje do të ndërmerrnin një akt të tillë agresiv ndaj shtetit dhe popullit tonë. Megjithatë, në sajë të udhëheqjes së tij të urtë, Shteti i Katarit arriti shumë shpejt ta kapërcejë këtë situatë. Ndërsa sot, mund të themi në mënyrë të sigurt se efektet e krizës janë tejkaluar dhe aktualisht vendi vazhdon rrugën drejt arritjeve dhe sukseseve në të gjitha nivelet.
Por të mos harrojmë këtu edhe përpjekjet e bëra nga Lartësia e Tij Emiri i Kuvajtit, Sheikh Sabah Al Ahmad Al Xhaber Al Sabah, dhe ndërmjetësimin e Tij për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të Gjirit dhe për ti dhënë fund krizës, përpjekje këto që u mbështetën nga shumë vende, sidomos nga Omani.

Si për ironi, bllokada e cila synonte të gjunjëzonte Shtetin e Katarit, të kërcënonte stabilitetin e tij, të minonte sovranitetin, të impononte tutelë politike mbi të dhe të nxiste katarianët kundër udhëheqjes së tyre, në fakt nxiti edhe më tepër dinjitetin kombëtar të popullit i cili qëndroi me krenari dhe besim përkrah Lartësisë së Tij Emirit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani. Gjithashtu bllokada ndihmoi në zgjerimin e rrjetit të marrëdhënieve ndërkombëtare të Katarit në të gjitha kontinentet, hapi horizonte të reja për tregjet kombëtare, dhe ndihmoi vendin për tu mbështetur tek vetja nëpërmjet realizimit të projekteve të mëdha në fusha të ndryshme prodhimi industrial dhe bujqësor. Gjithashtu më 2017-ën dhe nën bllokadë, u inaugurua hapja e Portit Ndërkombëtar “Hamad”, i cili është një nga portet më të mëdha dhe më modernë të rajonit me një kapacitet prej 7.5 milion kontejnerësh në vit. Porti Hamad luajti një rol kyç në zbutjen e efekteve të krizës për popullin e Katarit, me importimin e lëndëve bazë që vendet e bllokadës ndaluan kalimin e tyre në Katar. Ky port ka kontribuar gjithashtu që Katarit të kthehet sot në një qendër kryesore në rajon për import-eksportin dhe ritransportin detar, krahas shtimit të vëllimit të transportit të pasagjerëve për dhe nga vende të ndryshme të botës. Gjatë së njëjtës periudhë, kompania ajrore Qatar Airways, e cila u ndikua edhe ajo në fillim të krizës, arriti të shtojë destinacionet dhe fluturimet e saj në të gjithë botën, shto këtu faktin që Qatar Airways fitoi dhjetëra çmime ndërkombëtare gjatë bllokadës, si kompania me klasin më të mirë të biznesit në botë për vitin 2018, dhe linja më e mirë ajrore në glob gjatë 2017 për herë të katërt.

Sot jeta në Katar vijon në normalitet në të gjitha aspektet politike ekonomike dhe sociale, si për qytetarët katarianë ashtu edhe për rezidentët e huaj. Bllokada tashmë i përket së shkuarës dhe Shteti vendos politika dhe zbaton projekte në bazë të objektivave strategjikë të së ardhmes, në përputhje me Vizionin Kombëtar 2030 të Katarit.
Megjithatë, vazhdimi i krizës mund të çojë në krijimin e sfidave të rrezikshme në rajonin e Gjirit, i cili edhe tani po përballet me shumë sfida që kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e tij. Prandaj Shteti i Katarit vazhdon të mirëpresë dhe të bëjë thirrje për dialog konstruktiv me vendet e bllokadës, në mënyrë që dallimet të zgjidhen paqësisht, me kushtin e vetëm që zgjidhja të jetë në përputhje me traktatet dhe ligjet ndërkombëtare dhe mbi parimin e respektimit të sovranitetit të shteteve, pa cënuar vendimmarrjen e tyre të brendshme.

Kur flitet rreth Katarit, nuk mund të mos përmendet edhe Kampionati Botëror i Futbollit “Qatar 2022”? Si po ecin punimet për organizimin e këtij eventi gjigand sportiv?
Të gjitha projektet dhe punimet që po kryhen në Katar për organizimin e Botëorit të futbollit më 2022-shin, janë duke ecur me ritme të larta dhe tani po i afrohen përfundimit.
Shteti i Katarit ka mobilizuar të gjitha kapacitetet për të realizuar në kohë në mos edhe më përpara të gjitha përgatitjet e nevojshme për këtë Botëror, në mënyrë që ky event sportiv global të zhvillohet në formën më të veçantë dhe të pashembullt, që të jetë i denjë jo vetëm për vendin por për mbarë rajonin arab, aq më tepër që Katari është i pari vend arab në histori që organizon një botëror futbolli. Prandaj, gjatë marrjes zyrtare të stafetës së Kupës së Botës në Rusi, Lartësia e Tij Emiri i Shtetit të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, u shpreh kështu “Në emër të të gjithë arabëve mirëpresim mbarë botën në Qatar 2022”.

Dua të theksoj këtu që personalitetet dhe zyrtarët e lartë që kanë vizituar Katarin gjatë kësaj periudhe, përfshirë dhe Presidentin e FIFA-s Giani Infantino, kanë shprehur admirimin e tyre për arritjet mbresëlënëse të Katarit në ndërtimin e stadiumeve të veçanta, objekteve pritëse të hotelerisë dhe shërbimit, projekteve të infrastrukturës dhe transportit modern e të shpejtë, si p.sh. Metroja e Dohas e cila është futur tani në funksion sipas standardeve më të larta teknike në botë të komoditetit dhe sigurisë. Projektet e Botërorit 2022 janë të fjalës së fundit të teknologjisë. Stadiumet e reja janë të pajisura me sisteme kondicionimi që mund t’i ulin temperaturat nën 17 gradë, në një rajon i cili sikurse dihet, është një nga zonat më të nxehta në rruzull.

Katari synon që Kupa e Botës 2022 të zhvillohet në mënyrë të atillë që të jetë një mesazh prosperiteti, paqeje dhe harmonie mes popujve, një burim krenarie për popujt e Gjirit dhe të gjithë popujt arab, dhe të ndryshojë stereotipin ndaj arabëve në Perëndim.
Gjithashtu, dua t’ju them që unë e di se shqiptarët sikurse edhe unë vetë, janë shumë të apasionuar pas futbollit. Prandaj, shpresoj që Kombëtarja Shqiptare të kualifikohet për në Botëror dhe t’a ndjek atë në Katar.

Në përfundim, a doni të theksoni apo shtoni diçka tjetër që nuk u përmend më lart?
Po. Unë jam besimplotë që Shqipëria dhe shqiptarët kanë një të ardhme premtuese. Vendi i ka të gjitha kapacitetet dhe potencialet për zhvillim dhe prosperitet. Pozicioni gjeografik i Shqipërisë është strategjik. Shqipëria sot është shtet anëtar i NATO-s, vend kandidat për anëtarësim në BE, dhe në 2020 do të kryesojë OSBE-në. Shqiptarët janë një popull vital dhe krenar për trashëgiminë dhe historinë e tij. Ata i kanë të gjitha aftësitë për të realizuar aspiratat e tyre. Marrëdhëniet midis dy vendeve dhe popujve tanë sot janë në përparim të vazhdueshëm në të gjitha nivelet. Shteti i Katarit dëshiron t’i zhvillojë më tej këto marrëdhënie dhe t’i shtyjë përpara ato. Ambasada dhe unë nuk do të kursejmë asnjë përpjekje për promovimin e këtyre marrëdhënie të shkëlqyera dhe do të mbështesim fuqimisht çdo gjë që kontribuon në intensifikimin e bashkëpunimit të ndërsjelltë në të gjitha fushat.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: