Edhe pse ligji i Amnistisë Fiskale është miratuar, aktet nënligjore ende nuk kanë dalë. Në këto kushte organet tatimore kërkojnë të vjelin të ardhura në mënyrë selektive nga bizneset, përpara se të zbatohet amnistia fiskale, duke shkelur hapur ligjin e miratuar nga Parlamenti.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur sot se aktet nënligjore për zbatimin e politikave të “paqes fiskale” dhe fshirjes së detyrimeve të bizneseve janë drejt përfundimit dhe pritet të publikohen shumë shpejt.
Malaj theksoi se këto akte janë diskutuar edhe me organizma ndërkombëtarë dhe se finalizimi i tyre pritet të ndodhë brenda muajit maj. Sipas tij, udhëzimet do të përcaktojnë procedurat konkrete për zbatimin e ligjit.
“Fshirja e detyrimeve do të përfshijë si detyrimet doganore, ashtu edhe ato tatimore, në përputhje me parashikimet ligjore ekzistuese”, deklaroi ministri.
Ai shtoi se nga kjo skemë do të përfitojnë të gjithë tatimpaguesit që plotësojnë kriteret e përcaktuara për faljen e detyrimeve.
Në thelb, aktet nënligjore shërbejnë si instrument praktik për realizimin e lehtësive fiskale, duke synuar të qartësojnë hapat dhe procedurat që duhet të ndjekin subjektet për të përfituar nga kjo politikë, por pavarësisht deklaratave të ministrit, organet tatimore po shfrytëzojnë periudhën para miratimit të këtyre akteve për sulm selektiv ndaj bizneseve.
